Fruthi po afrohet nga vendet fqinje, Ministria apelon: Vaksinoni fëmijët për të shmangur një epidemi
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka apeluar që prindërit t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, me qëllim të parandalimit të një epidemie të mundshme në Maqedoninë e Veriut. Apeli vjen në kohën kur numri i rasteve me fruth është në rritje në Kosovë dhe Bullgari.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, përfshirja me vaksinën MRP, e cila mbron nga fruthi, rubeola dhe shytat, është vetëm 62 për qind, dukshëm nën nivelin prej 95 për qind që nevojitet për krijimin e imunitetit kolektiv.
“Dua t’u bëj apel të gjithëve që t’i qasen më me përkushtim vaksinimit kundër fruthit. Këtë e them sepse aktualisht po rritet numri i rasteve me fruth në Kosovë dhe Bullgari”, tha Klekovski në konferencën e sotme për media.
Ai paralajmëroi se institucionet shëndetësore do të intensifikojnë aktivitetet gjatë ditëve dhe javëve në vijim, me qëllim që të motivojnë prindërit për vaksinimin e fëmijëve dhe të rrisin përfshirjen me imunizim, për të shmangur shpërthimin e një epidemie.
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se për asnjërën nga vaksinat e përfshira në kalendarin e rregullt të imunizimit nuk është arritur përfshirja e dëshiruar prej 95 për qind për dozën e parë.
Për hepatitin B përfshirja është 77 për qind, për Haemophilus influenzae 78 për qind, ndërsa për difterinë, tetanosin dhe pertusisin 79 për qind. Për vaksinën kundër poliomielitit përfshirja është po ashtu 79 për qind, ndërsa për vaksinën MRP vetëm 62 për qind. Për vaksinën kundër HPV-së përfshirja është 51 për qind, ndërsa për vaksinat kundër rotavirusit dhe pneumokokut është 64, përkatësisht 80 për qind.
Udhëheqësi i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik, Dragan Koçinski, tha se gjendja është disi më e mirë te rivaksinimi, ku për vaksinën MRP përfshirja arrin në 85 për qind, por kjo ende nuk mjafton për krijimin e imunitetit kolektiv.
“Për momentin nuk ka epidemi në Maqedoni, por duke qenë se kemi epidemi në vendet fqinje, ne tashmë po përgatitemi dhe po planifikohen aktivitete për motivimin e prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre”, tha Koçinski.
Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendrat e Shëndetit Publik vazhdojnë aktivitetet për identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontrollet në pikat e vaksinimit, vizitat në shkolla dhe edukimin e prindërve. Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur gjithashtu se aktualisht ka sasi të mjaftueshme të vaksinave për imunizimin e fëmijëve.

