“Qyteti i Sigurt” nis aplikacionin për shtetasit e huaj

Ministria e Punëve të Brendshme ka vënë në funksion aplikacionin ueb “Qyteti i Sigurt”, i përshtatur për pajisjet mobile dhe i dedikuar në këtë fazë për shtetasit e huaj, përkatësisht pronarët dhe drejtuesit e automjeteve me targa të huaja.

Përmes aplikacionit, drejtuesit e huaj mund të kontrollojnë kundërvajtjet në trafik të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të kenë qasje në urdhërpagesat e lëshuara dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.

Për t’u kyçur, drejtuesi duhet të fotografojë ose skanojë dokumentin e udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit ose automjeteve që përdor në Maqedoninë e Veriut.

Sipas MPB-së, kjo u mundëson drejtuesve të huaj të informohen me kohë për kundërvajtjet dhe t’i shlyejnë detyrimet pa pasur nevojë për ndalesa shtesë në pikat kufitare.

Aplikacioni është pjesë e digjitalizimit të shërbimeve të lidhura me sistemin “Qyteti i Sigurt”, ndërsa në fazat e ardhshme pritet të zgjerohen funksionalitetet edhe për kategori të tjera përdoruesish.

Aplikacioni mund të gjendet këtu:
https://safecountry.mvr.gov.mk/login

Ndërkohë, prej dy ditësh në pikën kufitare Tabanoc zbatohet edhe sistemi për ndëshkimin e automjeteve të huaja. Gjatë daljes nga shteti, në kontroll identifikohen automjetet për të cilat “Qyteti i Sigurt” ka evidentuar më herët kundërvajtje në trafik.

Sistemi për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti 2026 dhe deri më tani ka regjistruar mbi 120 mijë kundërvajtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *