Kryetari i Zelenikovës në vijën e zjarrit: Drejtoi kamionin zjarrfikës për të mbrojtur shtëpitë nga flakët

Një zjarr që gjatë natës rrezikoi shtëpitë në kodrat mbi Zelenikovë është vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së zjarrfikësve profesionistë, por edhe angazhimit të drejtpërdrejtë të ekipit vullnetar lokal.

Derisa pritej mbërritja e zjarrfikësve nga Shkupi, kryetari i Komunës së Zelenikovës, Kosta Manevski, drejtoi vetë një kamion zjarrfikës të komunës, ndërsa anëtarët e ekipit vullnetar të zjarrfikësve luftuan me flakët që kërcënonin të përhapeshin drejt shtëpive.

Banorët e zonës kishin ndërmarrë paraprakisht masa mbrojtëse, duke pastruar dhe prerë një pjesë të bimësisë përreth banesave. Ata gjithashtu iu bashkuan zjarrfikësve në përpjekjet për të ndaluar përhapjen e zjarrit, i cili u mbajt larg shtëpive të para.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, bëri të ditur se njoftimi për zjarrin kishte mbërritur rreth orës 02:00 të mëngjesit, pas së cilës ekipet nga stacioni zjarrfikës në Draçevë u nisën drejt vendit të ngjarjes.

Angelov falënderoi veçanërisht zjarrfikësit vullnetarë nga Zelenikova, duke theksuar se pa angazhimin e tyre situata mund të kishte marrë përmasa shumë më serioze. Ai njoftoi gjithashtu se ekipi vullnetar do të përfshihet në Ekipet e Reagimit të Shpejtë të Drejtorisë, ndërsa do të pajiset me uniforma mbrojtëse, mjete për shuarjen e zjarrit dhe pajisje të tjera të nevojshme.

“Faleminderit edhe zjarrfikësve të Shkupit, automjeti i të cilëve mbërriti shumë shpejt”, tha Angelov, duke vlerësuar bashkëpunimin mes ekipeve profesionale dhe vullnetare.

Ndërkohë, situata me zjarret në vend mbetet shqetësuese. Qendra për Menaxhimin e Krizave njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 29 zjarre në hapësira të hapura. Gjashtë prej tyre janë ende aktive, një është nën kontroll, ndërsa 22 janë shuar.

Zjarre aktive raportohen në Studeniçan, Makedonski Brod, Jegunovcë, Saraj, Krushevë dhe Kriva Pallankë. Në disa prej këtyre zonave po digjen pyje të përziera, bimësi e ulët dhe shkurre.

Në ndërkohë, zjarri pranë fshatrave Aldanci dhe Norovë në Komunën e Krushevës është nën kontroll.

Për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret në hapësira të hapura dhe pyje, Qeveria ka shpallur gjendje krize në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit. Autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu qytetarët për rrezikun e shtuar gjatë valës së të nxehtit.

Kjo javë ka shënuar një rritje të ndjeshme të rrezikut për përhapje të shpejtë të zjarreve, ndërsa 12 gushti ishte dita me numrin më të madh të vatrave aktive deri tani gjatë këtij sezoni. Dhjetëra zjarre në rajone të ndryshme të vendit kanë angazhuar zjarrfikësit, ekipet vullnetare dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Maqedonia e Veriut është përballur edhe në vitet e kaluara me një numër të madh zjarresh, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur temperaturat e larta dhe bimësia e thatë krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e shpejtë të flakëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *