Hetim i zgjeruar për transportin e marihuanës nga Maqedonia e Veriut në Serbi

Hetimi që prej shkurtit po zhvillohet nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për një rrjet të dyshuar për transport të organizuar të marihuanës nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë është zgjeruar me shtatë të dyshuar të rinj.

Sipas Prokurorisë, provat e siguruara gjatë hetimit, si dhe bashkëpunimi me autoritetet serbe, kanë treguar për një grup më të gjerë personash të përfshirë në aktivitetin kriminal. Të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Prodhim dhe lëshim i paautorizuar në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.

Hetimi përfshin periudhën nga viti 2025 deri në fund të janarit 2026. Sipas dyshimeve, anëtarët e grupit kishin role të përcaktuara dhe siguronin, magazinonin e transportonin marihuanën me qëllim shitjen e saj në Serbi dhe vende të tjera.

Për të kamufluar aktivitetin, grupi dyshohet se ka përdorur një kompani nga Shkupi, e cila kishte licenca për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe prodhimin e ekstrakteve të kanabisit. Në transportet ndërkufitare, droga fshihej mes mallrave të deklaruara si tekstile, produkte ushqimore, jastëkë dhe jorganë.

Sipas Prokurorisë, në të paktën pesë raste është përdorur e njëjta mënyrë veprimi. Nga automjetet e ngarkuara me mallra dhe të vulosura doganisht hiqej një pjesë e ngarkesës, ndërsa në vend të saj vendoseshin kuti me marihuanë me peshë të përafërt me mallin e larguar. Automjetet më pas drejtoheshin drejt pikës kufitare Tabanoc, ndërsa ndiqeshin nga persona të dyshuar me automjete të tjera.

Pas kalimit të kufirit, droga dyshohet se magazinohej në zonën e Konjuhit, pranë Krushevcit, ku ripaketohej dhe përgatitej për shpërndarje.

Ndërkohë, më 21 korrik 2026, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj gjashtë anëtarëve të dyshuar të grupit për transport të paligjshëm ndërkombëtar të marihuanës. Sipas aktakuzës, disa prej tyre koordinonin aktivitetet, ndërsa të tjerë merreshin me pranimin dhe magazinimin e drogës në Konjuh dhe me përgatitjen e saj për shitje.

Në kuadër të procedurës në Maqedoninë e Veriut, më 10 gusht Gjykata Themelore Penale Shkup miratoi dy marrëveshje të lidhura me dy të dyshuar, të cilët e pranuan fajin. Ata u dënuan me nga 3 vjet e 6 muaj dhe 3 vjet e 8 muaj burgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *