EMV–KEK marrëveshje për qymyrin: 3 milionë tonë për termocentralet e Maqedonisë së Veriut

Sh.A. Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) ka nënshkruar marrëveshje strategjike me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me qymyr për termocentralet vendase gjatë tre viteve të ardhshme.

Sipas marrëveshjes, EMV do të ketë mundësi të eksploatojë rreth 3 milionë tonë qymyr në minierën në Obiliq, gjatë një periudhe prej 36 muajsh. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i EMV-së, Lazo Uzunçev, dhe drejtori i përgjithshëm i KEK-ut, Gramoz Hashani.

Çmimi i përcaktuar është 24,4 euro për ton, me parametra të përcaktuar për cilësinë e qymyrit.

Nga EMV bëjnë të ditur se marrëveshja pritet të mundësojë rreth 800 GWh prodhim shtesë vjetor të energjisë elektrike, si dhe të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh.

Për realizimin e planeve të prodhimit për periudhën 2027–2030, EMV vlerëson se do të ketë nevojë për rreth 1,4 milionë tonë qymyr në vit, si plotësim i prodhimit vendor. Prej tyre, rreth 600 mijë tonë janë paraparë për REK Osllomej dhe 800 mijë tonë për REK Manastir.

Në vitet e kaluara, EMV ka siguruar një pjesë të qymyrit nga Greqia, ndërsa transporti është realizuar përmes pikës kufitare Mexhitli.

Marrëveshja me KEK-un pritet të hyjë zyrtarisht në fuqi pas përfundimit të procedurës për përzgjedhjen e operatorit ekonomik dhe fillimit të punës së tij.

Ndërkohë, EMV-ja në periudhën e fundit është përballur edhe me kritika dhe akuza publike lidhur me keqpërdorime dhe parregullsi në funksionimin e ndërmarrjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *