LSDM akuzon Mickoskin dhe Stoilkoviqin për fyerje


Grupi parlamentar i LSDM-së ka reaguar gjatë pauzës së seancës së Kuvendit, duke akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kandidatin për ministër të Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, për fyerje dhe deklarata kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se askush nuk ka frikë nga kryeministri dhe se, sipas tij, kërcënimet dhe fyerjet tregojnë dobësinë e pushtetit.

“Askush nuk i frikësohet Mickoskit. Me kërcënimet që i bën dhe me fyerjet vetëm tregon sa i paaftë dhe sa i dobët është. Këtë qytetarët çdo ditë e kuptojnë gjithnjë e më shumë”, deklaroi Filipçe.

Ai vlerësoi se rikonstruksioni i paralajmëruar i Qeverisë nuk do të sjellë ndryshime reale, por vetëm zëvendësim të emrave, pa politika të reja dhe pa rezultate për qytetarët.

Sipas Filipçes, gjatë dy viteve të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së nuk ka pasur përmirësime në asnjë fushë. Ai akuzoi Qeverinë për rritje të çmimeve, rënie të standardit jetësor dhe mungesë të progresit në rrugën evropiane të vendit.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, akuzoi pushtetin për sjellje jashtë standardeve demokratike gjatë seancës së Kuvendit, ku po diskutohej për rikonstruksionin e Qeverisë dhe zgjedhjen e ministrave të rinj.

Spasovski tha se opinioni publik ka qenë dëshmitar i një “nervozizmi të madh” nga ana e pushtetit në momentet kur në Kuvend po diskutoheshin, sipas tij, dështimet dhe rezultatet e dobëta të qeverisjes gjatë dy viteve të fundit.

“Rregulli kryesor në demokraci është që t’i dëgjoni të gjitha kritikat, t’i shihni dobësitë dhe nga ato të nxirrni mësime për t’u përmirësuar. Por demokracia në Maqedoni po kuptohet ndryshe. Mendojnë se do të arrijnë rezultate më të mira duke sulmuar ata që tregojnë dobësitë në shoqëri”, deklaroi Spasovski.

Ai tha se fyerjet ndaj deputetëve të LSDM-së, zëvendëskoordinatorit Fatmir Bytyqi dhe deputetit Mitko Trajçulleski, të cilët folën për gjendjen në vend dhe për përbërjen e re të Qeverisë, nuk janë rast i izoluar.

Sipas tij, këto deklarata përbëjnë “gjuhë urrejtjeje që mund të çojë në dhunë”. Spasovski pretendoi se pas ndërprerjes së seancës ka pasur një përplasje me kandidatin për ministër Ivan Stoilkoviq, i cili, sipas tij, u është drejtuar deputetëve me fyerje dhe sharje.

“Kjo nuk i ka hije një kandidati për ministër që duhet të zgjidhet nga ky Kuvend. Problemet ekonomike, gjendja në bujqësi, politikat sociale dhe ndalimi i rrugës evropiane nuk mund të fshihen përmes sulmeve ndaj opozitës dhe deputetëve”, tha Spasovski.

Ai kritikoi edhe heshtjen e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, duke thënë se ai duhej të reagonte si drejtues i seancës, pasi sjelljet dhe deklaratat e tilla, sipas tij, nuk janë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin Etik të deputetëve.

Spasovski theksoi se Kodi Etik duhet të vlejë jo vetëm për deputetët, por edhe për kryeministrin, anëtarët e Qeverisë dhe të gjithë zyrtarët që zgjidhen nga Kuvendi.

Ai kërkoi reagim institucional dhe falje publike, duke theksuar se askush nuk duhet të jetë subjekt i fyerjeve, kërcënimeve apo sharjeve në institucionin ligjvënës.

“Ky është një rikonstruksion që është vetëm zëvendësim emrash – disa njerëz me të tjerë. Nga kjo qytetarët nuk mund të presin asgjë. Nuk ka një sektor ku ka rezultate të mira, nuk ka një grup qytetarësh që ka parë përfitim nga kjo qeveri”, tha Filipçe.

Ai shtoi se Qeveria, sipas tij, nuk ka kapacitet për të zgjidhur problemet kryesore të shtetit dhe qytetarëve dhe se ka ndalur procesin evropian të vendit.

“Nuk kemi një kryeministër që mund të zgjidhë ndonjë çështje, të krijojë strategji shtetërore apo politika nga të cilat qytetarët dhe shteti do të kenë përfitim”, deklaroi kreu i LSDM-së.

Ndërkohë, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se konferenca për media u thirr në rrethana të jashtëzakonshme, pasi, sipas tij, ajo që ndodhi në seancën e Kuvendit ishte jashtë çdo kriteri demokratik, veçanërisht duke pasur parasysh se në të ishin përfshirë kryeministri dhe një kandidat për ministër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *