Epidemia në Gostivar po qetësohet, uji për pije pritet të lejohet deri në fund të javës

Epidemia në Gostivar po tregon shenja qetësimi. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 71 raste të reja, ndërsa sipas anketave epidemiologjike vetëm një pjesë e tyre janë të lidhura me ujësjellësin e qytetit, transmeton Portalb.mk.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se epidemia mund të shpallet zyrtarisht e përfunduar kur të mos ketë më raste të lidhura me ujësjellësin. Sipas tij, përmirësimi i situatës është rezultat i pastrimit dhe klorifikimit të ujit.

“Drejt përfundimit formal do të shkonim kur të mos ketë më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit. Ky përmirësim është rezultat i pastrimit të ujit dhe përshtatjes së tij për përdorim teknik. Deri në fund të javës pritet që uji të mund të përdoret edhe për pirje dhe gatim, përkatësisht kur të gjitha çezmat të rezultojnë negative”, tha Klekovski.

Uji në Gostivar do të mund të përdoret sërish për pirje pasi të ketë tre teste negative radhazi nga mostrat e analizuara.

Ndërkohë, Ushtria vazhdon të jetë e angazhuar në terren për furnizimin e qytetarëve me ujë teknik. Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, tha se në Gostivar po dërgohet ujë përmes cisternave dhe pajisjeve të Ushtrisë.

“Do të jemi vazhdimisht atje, edhe pse tashmë ka ujë teknik. Përderisa të jemi të nevojshëm atje, do të jemi”, deklaroi Misajlovski.

Për situatën reagoi edhe LSDM-ja opozitare, e cila kërkoi përgjegjësi politike dhe penale për helmimin e mbi 4.000 qytetarëve në Gostivar. Nga partia akuzuan pushtetin se kishte fshehur informacione dhe kishte reaguar me vonesë ndaj ndotjes së ujit.

Kriza me ujin nisi më 17 korrik, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije, pasi u zbulua një pompë që fuste ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Në kuadër të hetimit, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe dy të punësuar u arrestuan.

Rezultatet e analizave treguan ndotje jashtëzakonisht të lartë të ujit. Në mostrat e analizuara u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u gjetën gjithashtu 39 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa standardi i lejuar është 0 cfu/100 ml.

Autoritetet e kanë cilësuar situatën si ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *