Mushkonjat alarmojnë shëndetësinë: 16 raste me malarie, dengë, zika dhe ethe të Nilit Perëndimor në RMV

Klekovski: Tetë rastet me ethe të Nilit Perëndimor janë vendore, qytetarët të kenë kujdes nga mushkonjat

Në Maqedoninë e Veriut këtë vit janë regjistruar gjithsej 16 raste të sëmundjeve që transmetohen nga mushkonjat. Bëhet fjalë për katër raste me malarie, tre me dengë, një me virusin zika dhe tetë raste me ethe të Nilit Perëndimor, bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në një konferencë për media.

Sipas ministrit, rastet me malarie, dengë dhe zika janë të “importuara”, ndërsa tetë rastet me ethe të Nilit Perëndimor janë kryesisht vendore.

Klekovski u bëri thirrje qytetarëve që udhëtojnë në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian, veçanërisht në Zanzibar dhe Maldive, që të ndjekin rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vaksinim dhe profilaksi.

“Virusi zika ka ndikim negativ te gratë shtatzëna, denga është ethe hemorragjike dhe kërkon kujdes të shtuar, ndërsa për malarien dihet se në format e rënda mund të jetë edhe fatale. U bëj thirrje njerëzve që udhëtojnë në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian, veçanërisht në Zanzibar dhe Maldive, t’i ndjekin rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për nevojën e vaksinimit dhe profilaksisë”, tha Klekovski.

Ai theksoi se rekomandimet dhe profilaksitë përkatëse janë në dispozicion në Qendrën për Shëndet Publik në Shkup dhe në qendrat e tjera përkatëse.

“Edhe pse përqindjet janë shumë të vogla, është e rëndësishme që qytetarët të marrin masa mbrojtëse dhe që mjekët amë dhe infektologët ta kenë parasysh në anamnezë edhe udhëtimin në Afrikë dhe në rajonin e Oqeanit Indian. Çelësi është mbrojtja dhe ndërhyrja e hershme”, shtoi ministri.

Nga tetë rastet me ethe të Nilit Perëndimor, dy janë regjistruar në qershor, ndërsa gjashtë janë raste të konfirmuara së fundmi. Njëri prej rasteve lidhet me Greqinë, ndërsa për rastet e tjera dyshohet se janë infeksione të marra në vend.

“Rastet janë në Veles dhe Shkup, pra në rajonin e Povardarisë. Është vepruar sipas protokolleve epidemiologjike dhe te shtatë nga rastet është kryer dezinsektim shtesë në një rreze prej 200 metrash nga vendbanimi i tyre, që është procedurë standarde epidemiologjike. Njëri person refuzoi që dezinsektimi të kryhej në pronën e tij”, tha Klekovski.

I pyetur se si është e mundur që një individ të refuzojë dezinsektimin, ministri sqaroi se procedurat kryhen nga qendrat për shëndet publik, por për hyrjen në prona private nevojitet urdhër përkatës.

“Në atë moment një urdhër i tillë nuk ishte i disponueshëm dhe procedura është kryer mbi bazë vullnetare. Do ta shqyrtojmë më tej këtë rast me Qendrën për Shëndet Publik. Rasti është në rajonin e Shkupit”, tha ai.

Klekovski shtoi se në rreth 80 për qind të rasteve me ethe të Nilit Perëndimor nuk shfaqen simptoma.

Ai rikujtoi se që nga viti i kaluar, në programin e Institutit për Mjekësi Transfuzionale është përfshirë edhe testimi standard i gjakut për virusin e etheve të Nilit Perëndimor. Testimi kryhet nga prilli deri në tetor, me qëllim parandalimin e transmetimit të mundshëm të virusit përmes dhurimit të gjakut.

“Që nga viti i kaluar kemi garanci se nuk do të ketë transmetim të këtij virusi përmes gjakut”, theksoi ministri.

Ministria e Shëndetësisë është në komunikim edhe me Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari për monitorimin e situatës me mushkonjat.

Klekovski u bëri thirrje qytetarëve që të kenë kujdes dhe të marrin masa për mbrojtje personale, veçanërisht në zonat pranë ujërave të ndenjura, pellgjeve, kënetave dhe vendeve të tjera ku mund të shumohen mushkonjat.

“Jemi në komunikim me të gjitha strukturat përkatëse dhe po e ndjekim nga afër situatën”, përfundoi Klekovski.