Ligjet për arsimin e lartë shtyhen për në shtator, BDI paralajmëron bllokadë me Badenterin

Paketa e ligjeve për arsimin e lartë me shumë gjasa nuk do të miratohet para pushimeve verore të Kuvendit. Pas një kompromisi të përkohshëm mes pushtetit dhe BDI-së, shqyrtimi i tyre pritet të vazhdojë në fund të gushtit, kur parashihet të zhvillohet debat publik me profesorë, ekspertë dhe studentë. Vendimi përfundimtar për miratimin e ligjeve pritet të merret në shtator.

Megjithatë, opozita shqiptare paralajmëron se do t’i bllokojë ligjet nëse nuk pranohen amendamentet e saj. Ndërkohë, sipas raportimeve të “Sloboden Peçat”, BDI-ja nga shtatori synon ta zgjerojë bllokadën edhe ndaj ligjeve të tjera që kërkojnë shumicën e Badenterit, me qëllim që të dëshmojë se shumica qeverisëse nuk e ka të ashtuquajturën shumicë të dyfishtë.

BDI-ja ka paralajmëruar përdorimin e mekanizmit të Badenterit për ligjet që, sipas saj, cenojnë interesat e komuniteteve joshumicë, ndërsa VLEN e akuzon këtë parti për bllokim të reformave të rëndësishme në arsim dhe përfaqësim të drejtë për interesa politike.

Sipas informacioneve të publikuara nga “Sloboden Peçat”, në koordinimet e zhvilluara te kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe në takimin me kryetaren e Komisionit për Arsim, Ivanka Vasilevska, është arritur marrëveshje që BDI-ja të pezullojë përkohësisht bllokadën. Në këmbim, shumica parlamentare ka pranuar organizimin e një debati publik me pjesëmarrjen e profesorëve universitarë, ekspertëve dhe studentëve.

Megjithatë, nga BDI-ja theksojnë se pezullimi i bllokadës nuk nënkupton tërheqje nga qëndrimet e tyre. Ata presin që pas debatit publik pushteti të pranojë amendamentet e propozuara, në të kundërtën paralajmërojnë bllokimin e ligjeve për standardin studentor, sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencë, veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe arsimin e lartë.

Përplasjet politike rreth shumicës së Badenterit pritet të vazhdojnë edhe për Ligjin për përfaqësim të drejtë, i cili mbetet i bllokuar. BDI-ja kërkon zbatimin e shumicës së plotë të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, ndërsa pushteti synon miratimin e tij përmes të ashtuquajturit “Badenter i vogël”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *