Qeveria merr hua 7 milionë euro nga M-NAV pa kamatë, fondet do t’i përdorë Ndërmarrja për Rrugët Shtetërore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë një hua afatshkurtër prej 7 milionë eurosh, pa kamatë, nga Navigacioni Maqedonas (M-NAV), një veprim i pazakontë duke pasur parasysh se kjo ndërmarrje zakonisht nuk jep kredi dhe fondet e saj janë të destinuara ekskluzivisht për funksionimin dhe zhvillimin e sistemit të navigacionit ajror.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë më 14 korrik, ndërsa më 17 korrik tre drejtorët e M-NAV-it – Vladimir Risteski, Milan Koraq dhe Fatmir Zimberi – kanë nënshkruar vendimin për miratimin e huasë. Sipas dokumentit, mjetet duhet të kthehen deri më 30 nëntor 2026.

Sipas informacioneve të publikuara, një ditë pas vendimit të Qeverisë, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore i ka dërguar M-NAV-it kërkesën për huanë, duke bërë të ditur se fondet në fakt janë të nevojshme për këtë institucion publik.

Rasti ka ngritur pikëpyetje, pasi M-NAV financohet përmes tarifave të navigacionit ajror dhe shpenzimet e saj janë të rregulluara me procedura të veçanta. Për më tepër, për investimet e ndërmarrjes zakonisht duhet të informohet Eurocontrol, ndërsa M-NAV ka edhe kredi aktive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për modernizimin e pajisjeve.

Drejtori i M-NAV-it, Vladimir Risteski, nuk ka komentuar publikisht vendimin dhe nuk ka sqaruar nëse për këtë hua janë njoftuar Eurocontrol dhe BERZH.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *