Misajllovski: Ushtria investon në kapacitete, ndërsa mobiliteti ushtarak forcon sigurinë rajonale
“Ushtria e Maqedonisë nuk është vetëm garantuese e paqes dhe sigurisë së vendit, por kontribuon aktivisht edhe në forcimin e sigurisë rajonale dhe kolektive, ndërsa mbrojtja investon fuqishëm në zhvillimin e kapaciteteve të Ushtrisë”, tha ministri Vlado Misajllovski në takimin e sotëm ministror në Brdo të Sllovenisë, në formatin e ministrave të Mbrojtjes të Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.
Misajllovski foli edhe për investimet në mbrojtje dhe aktivitetet që lidhen me sigurinë.
“Me investimin prej 2 për qind të buxhetit në mbrojtje dhe investimet e fuqishme në mobilitetin ushtarak përmes ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10, vendi jo vetëm që i përmbush plotësisht detyrimet ndaj Aleancës së përbashkët, por edhe në terren e forcon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit më të gjerë”, tha Misajllovski. Ai shtoi se “mobilitetin ushtarak e konsiderojmë një nga faktorët kyç që mundësojnë sigurinë evropiane dhe euroatlantike”.
Në kontekstin e mbështetjes evropiane, ministri Misajllovski përmendi paketën e katërt evropiane, e cila për herë të parë përfshin aktivitete për zhvillimin e infrastrukturës së poligonit ushtarak “Krivollak”, i cili është një resurs veçanërisht i rëndësishëm për trajnimin dhe ushtrimet e Ushtrisë së Maqedonisë, aleatëve dhe partnerëve.
Në fjalimin e tij, Misajllovski theksoi nevojën për forcimin e vazhdueshëm të sigurisë rajonale, duke theksuar: “Ballkani i qëndrueshëm do të thotë Evropë e qëndrueshme”. Ai përmendi misionet e NATO-s, KFOR-in në Kosovë dhe EU ALTHEA-n në Bosnje e Hercegovinë, në kuadër të të cilave kontribuojnë edhe ushtarët maqedonas.
Misajllovski tha se ndër vite rajoni është transformuar nga importues në eksportues të paqes, stabilitetit dhe sigurisë.
“Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në iniciativat e mbrojtjes të Bashkimit Evropian do ta forcojë më tej stabilitetin rajonal dhe sigurinë e përgjithshme të Evropës”, tha Misajllovski, duke shtuar se vendi mbështet përfshirjen më të madhe të partnerëve ballkanikë në iniciativat dhe instrumentet përkatëse të mbrojtjes së BE-së.
Misajllovski mori pjesë sot edhe në takimin e vendeve pjesëmarrëse në Forcat Mjekësore të Ballkanit, ku foli për suksesin e kësaj iniciative dhe nevojën për marrjen e vendimeve që do të rrisin dukshmërinë e këtyre forcave rajonale.
“Vendet anëtare të Forcave Mjekësore të Ballkanit po hyjnë në një periudhë ku nevojiten hapa konkretë për marrjen e përgjegjësive më të mëdha”, tha ai, duke theksuar nevojën për vullnet, përkushtim dhe vizion të përbashkët për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj force.
Misajllovski konfirmoi gjithashtu se vendi mbështet idenë që Forcat Mjekësore të Ballkanit të shqyrtojnë mundësinë për të kontribuar edhe jashtë rajonit të Ballkanit, për çka, sipas tij, nevojiten qasje pozitive, vullnet i përbashkët dhe përkushtim nga të gjitha vendet anëtare.

