Stuhia e fuqishme lë dhjetëra të lënduar dhe dëme të mëdha në Maqedoninë e Veriut

Pas stuhisë së fuqishme që goditi Shkupin dhe disa qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, 22 persona të lënduar kërkuan ndihmë në Klinikën “Shën Naum Ohri”, ndërsa dy prej tyre u shtruan në spital. Njëri iu nënshtrua operacionit për frakturë në dorë, ndërsa një turist u lëndua nga rrëzimi i një peme. Në Klinikën TOARILUC u trajtuan edhe 11 pacientë, prej të cilëve tre me lëndime më të rënda dhe tetë me lëndime të lehta.

Stuhia shkaktoi dëme edhe në disa institucione shëndetësore, përfshirë Spitalin Klinik në Shtip dhe Spitalin “8 Shtatori” në Shkup, ku u dëmtuan kulmet, megjithatë spitalet vazhdojnë të funksionojnë normalisht.

Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), era arriti shpejtësinë deri në 134 kilometra në orë në Shtip, ndërsa në Shkup dhe Strumicë u regjistruan goditje ere prej 130 kilometrash në orë, të klasifikuara si erë me fuqi uragani.

Qendra për Menaxhim me Kriza bëri të ditur se në numrin emergjent 112 u pranuan mbi 9.000 thirrje nga qytetarët. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm në Shkup u raportuan 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.

Autoritetet vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe ndërmarrjen e masave për normalizimin e situatës në zonat e prekura.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *