Përplasjet për Badinterin shtyjnë ligjet për përfaqësimin e drejtë dhe arsimin e lartë

Përplasjet politike rreth mekanizmit të shumicës së Badinterit kanë rikthyer në qendër të vëmendjes ligjet që kërkojnë votim të dyfishtë në Kuvend. Sipas informacioneve të TV24, Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe paketa e ligjeve për arsimin do të mbeten të bllokuara deri në krijimin e një konsensusi politik.

Nga BDI deklarojnë se do ta përdorin mekanizmin e Badinterit për të bllokuar çdo ligj që, sipas tyre, bie ndesh me interesat e komuniteteve jo-shumicë. Partia vlerëson se zhvillimet aktuale dëshmojnë se Qeveria nuk ka legjitimitet etnik.

“Votimi me shumicën e Badinterit është një mekanizëm që do ta përdorim për të parandaluar votimin e ligjeve që janë në kundërshtim me interesat e komuniteteve jo-shumicë. Ne kemi treguar gjatë gjithë kohës se kjo Qeveri nuk ka legjitimitet etnik dhe tani kjo po provohet në praktikë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia shton se situata aktuale, sipas saj, dëshmon rëndësinë e respektimit të parimit të Marrëveshjes së Majit, sipas të cilit kryeministri duhet ta formojë qeverinë me fituesin nga komuniteti i dytë më i madh etnik.

Nga ana tjetër, VLEN akuzon BDI-në se po bllokon ligje me rëndësi për shqiptarët për interesa politike dhe për shkak të humbjes së pushtetit.

“BDI nuk mund ta kapërcejë faktin që shqiptarët i dërguan në opozitë dhe për këtë arsye tani dëshiron t’i ndëshkojë ata. VLEN u bën thirrje deputetëve të të ashtuquajturit Front Evropian që të votojnë Ligjin për Përfaqësim të Drejtë”, deklaruan nga koalicioni.

Ndërkohë, burime nga VMRO-DPMNE për TV24 shprehen se shumica parlamentare pret të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për shumicën e Badinterit. Sipas tyre, me emërimin e një ministri të ri nga Partia Demokratike Turke dhe bashkëpunimin me deputetin Iljaz Bejxhan, Qeveria do të ketë një deputet shtesë nga komunitetet jo-shumicë. Po ashtu, sipas të njëjtave burime, drejtuesit e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, pritet të sigurojnë mbështetjen e deputetëve të pavarur ose të partive më të vogla shqiptare.

Kujtojmë se më 20 korrik nga rendi i ditës i Kuvendit u tërhoq Ligji për Arsimin e Lartë, pasi shumica parlamentare nuk arriti marrëveshje me opozitën për procedimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *