VMRO-DPMNE kërkon hetim për raportin mjekësor të Mihaillovës, LSDM akuzon pushtetin për politizim të rastit

VMRO-DPMNE kërkon hetim për raportin mjekësor të Iva Mihaillovës, duke ngritur dyshime për ndërhyrje të mundshme nga lideri aktual dhe ish-lideri i LSDM-së, Venko Filipçe dhe Zoran Zaev. Nga ana tjetër, LSDM akuzon pushtetin se po e përdor rastin për qëllime politike dhe për të shmangur përgjegjësinë për largimin e Mihaillovës nga vendi.

Sipas VMRO-DPMNE-së, raportin mjekësor e ka përgatitur neurologu Ivan Barbov, ish-drejtor i Klinikës së Neurologjisë. Në dokument thuhet se metodat e nevojshme për trajtimin e Mihaillovës nuk zbatohen në Maqedoninë e Veriut, prandaj rekomandohet trajtimi në Bullgari ose Turqi. Partia kërkon që institucionet kompetente të hetojnë nëse Filipçe dhe Zaev kanë ndërhyrë në përgatitjen e raportit.

“Doktor Barbov nuk është i panjohur për publikun maqedonas. Ai është person i dënuar ligjërisht në çështjen penale ‘Metastaza’”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. Partia rikujton se rasti lidhej me ndërmjetësimin e paligjshëm për dhënien e pensioneve të invaliditetit dhe kërkon sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me raportin mjekësor.

LSDM, ndërkaq, pretendon se largimi i Mihaillovës nga vendi është rezultat i marrëveshjeve të fshehta mes pushtetit dhe palës bullgare. Sipas opozitës, ministri i Jashtëm Timço Mucunski ka negociuar, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski ka lejuar kalimin e kufirit, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski ka dhënë miratimin. LSDM kërkon përgjegjësi dhe dorëheqjen e Toshkovskit.

“Pas shpinës së popullit, ata bënë marrëveshje me Bullgarinë dhe e lanë Iva Mihaillovën të kalonte kufirin. Mucunski negocioi, Toshkovski e la të lirë dhe Mickoski tundi kokën”, akuzon LSDM-ja. Sipas partisë, në vend që të mbahet përgjegjësi për rastin, po zhvillohet një fushatë mediatike kundër opozitës.

Iva Mihaillova është e akuzuar në një proces gjyqësor lidhur me aksidentin e trafikut me pasoja fatale në Koçan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *