Burgu i Idrizovës i mbingarkuar, propozohet ulja e dënimeve deri në 20%

Drejtori i burgut më të madh në vend, Zoran Jovanovski, paralajmëroi se do t’i propozojë Ministrisë së Drejtësisë amnisti ose ulje të dënimeve me 10, 15 apo 20 për qind, me qëllim zvogëlimin e mbipopullimit në burgje.

“Kemi ndërmend të shpjegojmë se çfarë do të nënkuptonte kjo amnisti ose falje në përqindje prej 10, 15 ose 20 për qind dhe propozimin do t’ia dorëzojmë ministrit, ndërsa më pas le të vendosin autoritetet”, deklaroi Jovanovski në një intervistë për “360 Shkallë”.

Sipas tij, gjatë tre viteve të fundit, numri i të dënuarve në burgun e Idrizovës është rritur për rreth 200 persona, duke shtuar shpenzimet për ushqim, akomodim, energji elektrike dhe ujë. Ndërkohë, rritja e çmimeve dhe zvogëlimi i buxhetit e vështirësojnë edhe më shumë funksionimin e institucionit.

Jovanovski theksoi se masat e mëparshme për uljen e mbipopullimit, përfshirë amnistinë dhe lirimin nga vuajtja e dënimeve për gjobat e papaguara të shqiptuara gjatë pandemisë COVID-19, kanë dhënë rezultate vetëm për një periudhë të shkurtër.

Si zgjidhje afatgjatë, ai përmend zgjerimin e zbatimit të masave alternative, si puna në dobi të komunitetit dhe dënimet me kusht, kur plotësohen kushtet ligjore.

Përveç mbipopullimit, burgu i Idrizovës përballet edhe me mungesë të personelit dhe të mjeteve financiare, ndërsa plotësimi i vendeve të lira të punës zhvillohet ngadalë. Këto probleme ndikojnë edhe në procesin e risocializimit të të dënuarve.

“Një numër shumë i vogël njerëzish risocializohen. Pjesa më e madhe hyjnë dhe dalin ashtu siç kanë ardhur, pa u risocializuar sa duhet”, tha Jovanovski.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, më 7 shtator të këtij viti, në Entin Ndëshkues-Përmirësues të Idrizovës ndodheshin 1.296 të dënuar, ndonëse kapaciteti zyrtar i institucionit është 1.187 persona.

Nëse përfshihen edhe të dënuarit që ndodhen me leje, në spital ose janë në arrati, numri i përgjithshëm arrin në 1.467 persona.

Propozimi për uljen e dënimeve pritet t’i paraqitet Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga autoritetet kompetente.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *