Tre persona nga Shkupi arrestohen duke tentuar të marrin kredi me dokumente të falsifikuara
Tre persona nga Shkupi janë privuar nga liria pasi dyshohet se kanë tentuar të marrin kredi bankare në vlerë prej 900 mijë denarësh, duke përdorur dokumentacion të falsifikuar dhe të dhëna personale të një personi tjetër, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Policia e SPB Shkup, përkatësisht Njësia për Krim Ekonomik dhe Krim Kompjuterik, më 29 korrik ka arrestuar I.T. (45), S.T. (21) dhe P.P. (29), të gjithë nga Shkupi. Ata dyshohen për veprat penale “falsifikim i dokumentit” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale”.
Sipas MPB-së, I.T., në bashkëpunim me dy personat e tjerë, ka tentuar të paraqesë kërkesë për kredi në një bankë në Shkup, duke përdorur letërnjoftim të falsifikuar me të dhënat e një personi tjetër, si dhe dokumentacion të falsifikuar kreditor.
Tre të dyshuarit janë arrestuar në momentin kur dokumentacioni i falsifikuar po përpunohej në bankë.
Pas koordinimit me prokurorin publik kujdestar, personat janë dërguar para gjyqtarit për procedurë paraprake.

