Revizioni Shtetëror alarmon: Maqedonia e Veriut nuk ka sistem funksional për përballjen me katastrofat

Maqedonia e Veriut nuk ka një sistem të përgatitur dhe funksional për t’u përballur në mënyrë efikase me katastrofat, konstaton Enti Shtetëror i Revizionit në raportin e tij të fundit.

Sipas revizorëve, sistemi i mbrojtjes dhe shpëtimit përballet me dobësi në planifikimin strategjik, koordinimin dhe menaxhimin e resurseve, si dhe me mungesë të personelit, pajisjeve dhe investimeve për modernizim. Edhe pse ekziston kornizë ligjore, sistemi nuk funksionon si mekanizëm i integruar për parandalim, gatishmëri dhe reagim ndaj katastrofave.

Një nga problemet kryesore është mungesa e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje dhe Shpëtim. Strategjia e fundit ka përfunduar në vitin 2018, ndërsa draft-strategjia për periudhën 2026–2030 ende nuk është miratuar. Revizioni konstaton gjithashtu se disa dokumente të rëndësishme për vlerësimin e rreziqeve nuk janë përditësuar.

Probleme të mëdha janë evidentuar edhe te shërbimet zjarrfikëse. Në Brigadën e Mbrojtjes nga Zjarri të Shkupit, nga 384 vende pune të sistematizuara për zjarrfikës, janë plotësuar vetëm 172, ndërsa një pjesë e pajisjeve janë të vjetruara.

Raporti tregon se gjatë periudhës 2022–2024 për mbrojtjen nga zjarret janë siguruar rreth 2,2 miliardë denarë, por 98,5 për qind e tyre janë shpenzuar për paga dhe kompensime, ndërsa vetëm 1,5 për qind për investime kapitale.

Revizioni vlerëson se sistemi aktual funksionon kryesisht në mënyrë reaktive, duke aktivizuar gradualisht resurset lokale dhe më pas ato kombëtare. Në vitet 2024 dhe 2025 janë shpallur disa herë gjendje krize për shkak të zjarreve, çka, sipas raportit, tregon për kapacitete të pamjaftueshme për përballje efikase me katastrofat.

Enti Shtetëror i Revizionit rekomandon miratimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje dhe Shpëtim, forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe materiale, sigurimin e financimit të qëndrueshëm dhe vendosjen e një sistemi më efikas për monitorimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të mbrojtjes civile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *