Ferati: Ministrinë e gjeta pa drejtim strategjik, 30 për qind e të punësuarve pa kushte elementare pune
Ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, në një brifing me gazetarë prezantoi gjendjen në të cilën, sipas tij, e ka gjetur ministrinë pas marrjes së detyrës, duke paralajmëruar reforma në funksionimin e institucionit dhe një qasje të re në shpërndarjen e resurseve dhe granteve.
Ferati deklaroi se ministria, e cila më herët është udhëhequr nga Artan Grubi dhe më pas nga Ivan Stoilkoviq, për vite me radhë ka pasur mungesë të orientimit strategjik, kushteve elementare për punë dhe kohezionit të brendshëm.
Sipas tij, nga gjithsej 139 të punësuar, rreth 30 për qind nuk kanë pasur kushte adekuate për të kryer detyrat e tyre, për shkak të mungesës së pajisjeve bazë, përfshirë kompjuterë, tavolina dhe hapësira pune.
Ai tha se menjëherë pas marrjes së funksionit ka nisur procesi për përmirësimin e kohezionit brenda institucionit, përmes takimeve me drejtuesit e sektorëve dhe ekspertë, me qëllim gjetjen e mënyrave për një funksionim më efikas.
Një nga problemet kryesore, sipas Feratit, është edhe mungesa e dokumenteve strategjike, për çka, siç tha ai, institucioni nuk ka pasur një drejtim të qartë dhe orientim afatgjatë.
Ministri foli edhe për shpërndarjen e granteve, duke pretenduar se në periudhën e kaluar ka pasur pabarazi në ndarjen e mjeteve. Sipas tij, nga 36 grantet e ndara, 29 kanë shkuar për komunitetin dhe shoqatat serbe, kryesisht për organizimin e aktiviteteve kulturore, ndërsa një prej granteve ka pasur vlerë prej 500 mijë denarësh.
Duke folur për vizionin e tij, Ferati kërkoi bashkëpunim më të madh me mediat, të cilat, sipas tij, kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit dhe kohezionit shoqëror.
Ai përmendi si shembull tensionet që krijohen gjatë ndeshjeve sportive, duke theksuar se fyerjet në stadiume shpesh përhapen edhe në rrjetet sociale dhe më pas reflektohen në institucionet politike.
Ferati vlerësoi se një nga faktorët që krijon pakënaqësi mes komuniteteve është edhe mënyra e shpërndarjes së investimeve dhe mbështetjes publike. Për këtë arsye, ai sugjeroi se edhe në sektorin e sportit duhet të zbatohet një qasje më e balancuar në mbështetjen e komuniteteve.

