Mbyllet Konsullata e Kosovës në Strugë, shërbimet konsullore kalojnë në Ambasadën në Shkup
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë është mbyllur, ndërsa shërbimet konsullore për qytetarët kosovarë në Maqedoninë e Veriut do të ofrohen nga Ambasada e Kosovës në Shkup.
Vendimi është marrë në bazë të Dekretit të Presidentes së Kosovës dhe vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me qëllim optimizimin e resurseve dhe në përputhje me nevojat institucionale.
Nga Ambasada e Kosovës në Shkup njoftojnë se mbyllja e Konsullatës në Strugë është bërë pas vlerësimit të dinamikës së këtij misioni konsullor.
Megjithatë, në Strugë do të vazhdojë të jetë e pranishme zyra e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i cili mbulon rrethin konsullor të këtij qyteti.
Ambasada e Kosovës në Shkup do të vazhdojë të ofrojë shërbime konsullore për shtetasit e Kosovës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

