Buzhala: Aktakuza ndaj Grubit është „hajgare e madhe“, krahasuar me VLEN-in ai është „Henry Kissinger“

Gazetari dhe analisti kosovar, Berat Buzhala, ka komentuar aktakuzën ndaj ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, duke e cilësuar atë si një aktakuzë shumë të dobët dhe duke vënë në dyshim mundësinë e një dënimi të tij.

Buzhala shkruan se fillimisht kishte menduar se, duke marrë parasysh largimin e Grubit nga vendi, dënimi i tij do të ishte vetëm çështje formale, pasi kishte krijuar përshtypjen se provat për korrupsion ishin të forta dhe të gatshme.

„Përndryshe, së fundmi e kuptova që aktakuza kundër Artan Grubit, në Maqedoni, qenka një hajgare e madhe. Unë pata menduar, duke e marrë parasysh arratisjen e tij, që dënimi i tij është çështje formale, sepse provat për korrupsion janë të gatshme“, shkruan Buzhala.

Ai thotë se ka marrë aktakuzën kundër Grubit dhe dokumentet që lidhen me këtë çështje dhe i ka analizuar përmes ChatGPT-së, duke kërkuar një vlerësim nëse bëhet fjalë për një aktakuzë të fortë.

„E mora aktakuzën kundër Grubit dhe çdo dokument rreth kësaj çështjeje dhe i futa në ChatGPT, me pyetjen: A është kjo një aktakuzë e fortë? Përgjigjja e Chat-it ishte e gjatë, por përgjithësisht tha se kjo është një aktakuzë shumë e dobët“, ka shkruar ai.

Sipas Buzhalës, ai ka pyetur gjithashtu se sa do të ishin gjasat që Grubi të dënohej nëse gjykimi do të zhvillohej në një shtet të Bashkimit Evropian.

„Rreth 20 për qind, ishte përgjigjja“, shkruan Buzhala.

Duke komentuar përmbajtjen e aktakuzës, Buzhala pretendon se Grubi akuzohet për çështje që lidhen me organizimin e lojërave të fatit nga shteti, ndërsa përgjegjësia e tij lidhet me faktin se kishte udhëhequr mbledhjen e Qeverisë në të cilën ishte votuar për këtë çështje.

Ai shton se, sipas dokumenteve që ka analizuar, vendimi në mbledhjen e Qeverisë ishte miratuar me 20 vota pro dhe asnjë kundër.

„Me fjalë të tjera, Artan Grubi po del i pafajshëm prej kësaj çështjeje“, përfundon Buzhala në lidhje me rastin.

Në fund të reagimit të tij, ai ka bërë edhe një krahasim të ashpër politik mes Grubit dhe përfaqësuesve të koalicionit VLEN.

„Pastaj, pasha të lumin Allah, Artan Grubi sa i përket nivelit, në krahasim me këta shapatellet e VLEN-it është Henry Kissinger“, ka shkruar Buzhala.

Reagimi i tij vjen në kohën kur aktakuza ndaj Artan Grubit dhe ish-zyrtarëve të tjerë vazhdon të jetë në fokus të opinionit publik në Maqedoninë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *