BDI akuzon Kasamin: Po fsheh dështimet pas krizës në Këshillin e Tetovës
BDI ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke e akuzuar atë për mungesë përgjegjësie dhe paaftësi për të zgjidhur problemet e qytetit.
Në reagimin e saj, BDI thotë se Kasami po përpiqet të justifikojë dështimet e tij duke ngritur, sipas saj, “teori juridike të paqena” dhe duke e përdorur çështjen e emrave të rrugëve si pretekst për zgjedhje të reja për Këshillin Komunal.
Partia opozitare thekson se nuk ka propozuar të njëjtën listë të emrave të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, por një listë të re me 67 emra, duke vlerësuar se kjo nuk mund të shërbejë si bazë për shpërbërjen e Këshillit.
BDI i bën thirrje Kasamit të bashkëpunojë me këshilltarët për zgjidhjen e çështjes dhe e sfidon që, nëse dëshiron zgjedhje, të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Komunës së Tetovës dhe të përballet me qytetarët në zgjedhje lokale.

