Mbi 3.100 persona kërkuan ndihmë mjekësore në Gostivar, vazhdojnë hetimet për epideminë gastrointestinale
Epidemia gastrointestinale në Gostivar vazhdon të përhapet, ndërsa në pesë ditët e fundit gjithsej 3.100 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave si diarre, të vjella, dhimbje barku dhe dehidrim. Autoritetet shëndetësore konfirmojnë se numri i rasteve të reja mbetet i lartë, edhe pse është vërejtur një rënie e lehtë e pranimeve gjatë ditës së djeshme.
Ministri i Shëndetësisë, Sashko Klekovski, bëri të ditur se analizat mikrobiologjike janë përfunduar dhe rezultatet i janë dorëzuar Prokurorisë Publike, e cila do të vendosë për publikimin e tyre. Ai theksoi se, sipas të dhënave të deritanishme, ushqimi nuk konsiderohet më burim i mundshëm i infeksionit, ndërsa shkaku i epidemisë ende nuk është përcaktuar.
Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendra për Shëndet Publik në Tetovë po vazhdojnë hetimet epidemiologjike dhe analizat laboratorike të ujit, mostrave të pacientëve, si dhe testimet për baktere, viruse, parazitë, metale të rënda dhe ndotës të tjerë. Ndërkohë, rekomandimi që uji i ujësjellësit të Gostivarit të mos përdoret për pirje dhe gatim mbetet në fuqi.
Në ndihmë të qytetarëve, Qeveria ka nisur shpërndarjen e 50 mijë litrave ujë të pijshëm falas çdo ditë, ndërsa institucionet shëndetësore theksojnë se shumica e pacientëve kanë pasur formë të lehtë të sëmundjes dhe vetëm një numër i vogël janë hospitalizuar.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka arrestuar drejtoreshën e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani, drejtorin teknik Leon Nuredini dhe përgjegjësin e ujësjellësit, Vadedin Dervishi. Ata pritet të dalin para Prokurorisë dhe gjykatësit të procedurës paraprake, i cili do të vendosë për masat ndaj tyre.

