Vonesë me vaksinat kundër gripit, MSH: Dozat për kategoritë e cenueshme priten gjatë këtij muaji

Vaksinat kundër gripit sezonal për kategoritë e cenueshme të qytetarëve ende nuk janë siguruar, për shkak të vonesave në prodhimin e tyre në nivel global. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se po bëhen përpjekje që vaksinat të sigurohen gjatë këtij muaji përmes kanaleve ndërkombëtare.

Nga MSH informojnë se në tenderin për furnizimin me vaksina nuk është dorëzuar asnjë ofertë. Sipas tyre, vonesa nuk lidhet me procedurën vendore, por me ndryshimet në përbërjen e vaksinës për këtë sezon.

Për herë të parë këtë vit janë ndryshuar njëkohësisht të tri shtamet virale të vaksinës – dy të gripit A dhe një të gripit B. Sipas Ministrisë, përditësimi i njëkohshëm i shtameve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe FDA-ja amerikane ka ndikuar në vonesën e fillimit të prodhimit te prodhuesit në mbarë botën.

Ministria e Shëndetësisë thotë se është në komunikim me vendet e rajonit dhe më gjerë për të siguruar dozat e nevojshme.

Nga MSH rikujtojnë se vaksinimi është një nga mënyrat më të sigurta për mbrojtjen nga komplikimet e gripit, veçanërisht për personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe gratë shtatzëna.

Qytetarët do të njoftohen në kohë për datën e saktë të fillimit të vaksinimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *