Mucunski: Po zhvillohen bisedime “nën radar” për zhbllokimin e rrugës evropiane, por pa lëshime për identitetin
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka deklaruar se Qeveria po punon për një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme për zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ai konfirmoi se po zhvillohen bisedime “nën radar”, por pa dhënë detaje për përmbajtjen e tyre.
Mucunski theksoi se Qeveria nuk do të bëjë lëshime për çështjet që lidhen me identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën, duke shtuar se çdo zgjidhje duhet të jetë e qëndrueshme dhe të mos krijojë rrezik që vendi të përballet sërish me të njëjtën situatë.
Ai kërkoi edhe konsensus politik për këtë proces, ndërsa kritikoi opozitën për qëndrimet dhe vendimet e viteve 2021 dhe 2022. Sipas tij, opozita duhet të pranojë gabimet e së kaluarës dhe t’i japë mbështetje Qeverisë në politikën e jashtme.
Sa i përket procesit të integrimit evropian, Mucunski tha se vendi po përparon në reformat e brendshme dhe se kjo pritet të konfirmohet edhe në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian. Megjithatë, ai pranoi se çështja me Bullgarinë mbetet sfida kryesore, duke e cilësuar atë si një problem të krijuar artificialisht.
Sipas Mucunski, edhe nëse kjo çështje zgjidhet, Maqedonia e Veriut do të jetë ndër vendet më të përgatitura për anëtarësim dhe do të jetë në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian.

