Takimi Shkup-Sofje pa rezultat konkret: Bullgaria kërkon afat për ndryshimet kushtetuese
Takimi mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk solli ndonjë rezultat konkret sa i përket rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, tha se qëndrimet e Shkupit dhe Sofjes mbeten dukshëm larg njëra-tjetrës, ndërsa nga Bullgaria kërkuan që Maqedonia e Veriut të tregojë se kur planifikon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Mucunski e vlerësoi takimin si konstruktiv dhe në frymë pozitive, duke theksuar gatishmërinë për vazhdimin e komunikimit me Bullgarinë.
„Qëndrimet tona janë absolutisht të qarta. Interes strategjik edhe i Bullgarisë është që ne të ecim përpara në rrugën evropiane. Por ne jemi një vend që ndër vite vazhdimisht është përballur me kërkesa dypalëshe. Kur është mbyllur një çështje dypalëshe, më pas është hapur një tjetër“, deklaroi Mucunski.
Ai theksoi se ekziston një shkallë e lartë mosbesimi lidhur me parashikueshmërinë e procesit të integrimit evropian dhe përvojën e deritanishme me kërkesat dypalëshe.
Në takim u diskutua edhe për Korridorin 8. Mucunski konfirmoi vendosmërinë e Maqedonisë së Veriut për të përmbushur pjesën e saj të detyrimeve dhe për të përshpejtuar, së bashku me Bullgarinë, Shqipërinë dhe partnerët evropianë, realizimin e projektit. Të dy ministrat u pajtuan se Korridori 8 duhet të përfundojë deri në vitin 2032.
Nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë njoftuan se ministrja e Jashtme, Georgieva Petrova, kërkoi informacion se kur Maqedonia e Veriut planifikon t’i përmbushë detyrimet e përcaktuara në Konsensusin Evropian të vitit 2022.
„Ministrja Petrova konfirmoi mbështetjen e Bullgarisë për perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke respektuar parimin e meritave individuale. Në këtë kontekst, ajo kërkoi informacion për afatin kohor në të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut planifikon t’i përmbushë detyrimet e përcaktuara në Konsensusin Evropian të vitit 2022, të nevojshme që vendi të fillojë negociatat për anëtarësim në BE“, thuhet në njoftimin bullgar.
Takimi u organizua me kërkesë të palës maqedonase, pas këshillës që kryeministri Hristijan Mickoski mori nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup më 2 tetor.
Edhe takimet e mëparshme mes autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë kanë kaluar pa përparim konkret.
Marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan në vitin 2020, kur Sofja vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u arrit një kompromis. Maqedonia e Veriut pranoi që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve tashmë të përfshira, të shtohet edhe komuniteti bullgar.
Në bazë të këtij kompromisi, më 19 korrik 2022 Maqedonia e Veriut filloi bisedimet për anëtarësim me BE-në, me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Ndryshimet kushtetuese mbeten një nga kushtet për avancimin e procesit. Për miratimin e tyre kërkohet shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Sipas kornizës së dakorduar, procesi i negociatave nuk mund të avancojë në fazën e ardhshme pa përmbushjen e këtij kushti.

