NUK DO TË RRITET MOSHA PËR PENSIONIM
Të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe nuk do të ketë shkurtim të numrit të festave jopune. Ky është qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj propozimit të Odës Ekonomike për ndryshimin e Ligjit për Festat.
Oda kërkon që numri i ditëve jopune të reduktohet, ndërsa kur një festë bie të dielën, dita e ardhshme të mbetet ditë pune dhe jo ditë jopune, siç është aktualisht.
Mickoski njëkohësisht porositi se nuk do të ketë as rritje të kufirit të moshës për pensionim. Sipas tij, sistemi pensional është i qëndrueshëm dhe pensionistët nuk kanë arsye për t’u shqetësuar.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
– Qeveria dhe unë personalisht vlerësojmë se gjendja është absolutisht e qëndrueshme dhe e sigurt. Dhe pensionistët nuk duhet të shqetësohen. Në fund të fundit, kjo Qeveri i rriti pensionet mesatarisht si asnjë Qeveri tjetër në historinë e Maqedonisë së pavarur. Nëse më tej dhe në të ardhmen kemi çfarëdo politikash, publiku do të informohet. Paratë janë këtu, por paratë duhet të gjenden aty ku keqpërdoren.
Reagimi i kryeministrit vjen pas paralajmërimeve të Këshillit Fiskal se pa reforma të menjëhershme, deficiti në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor do të vazhdojë të rritet dhe mund të arrijë deri në 1.3 miliardë euro.
Aktualisht, më shumë se 40 për qind e shpenzimeve të Fondit Pensional mbulohen nga buxheti i shtetit. Mickoski thotë se të gjitha propozimet dhe vërejtjet për reformat merren parasysh, por vendimin përfundimtar e merr Qeveria.
Opozita, ndërkohë, akuzon pushtetin se e ka sjellë Fondin Pensional para kolapsit. Nga LSDM thonë se deficiti ka arritur në rreth një miliard euro dhe paralajmërojnë rrezik për pagesën e pensioneve në të ardhmen.
JOVANA TRENÇEVSKA, DEPUTETE DHE NËNKRYETARE E LSDM-SË
– Edhe pse nga 1 korriku kontributi për Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor është rritur për një pikë përqindjeje, përmes ridrejtimit të mjeteve që shkonin në Agjencinë e Punësimit, deficiti vazhdon të rritet. Analizat e fundit të Këshillit Fiskal tregojnë se vrima do të rritet në 1.3 miliardë euro në vitet e ardhshme. Pagesat e pensioneve për pensionistët aktualë dhe të ardhshëm janë në rrezik.
Problemi me deficitin në Fondin Pensional është diskutuar prej vitesh. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rekomanduar në disa raste masa reformuese, përfshirë edhe rritjen e moshës së pensionimit dhe ndryshimin e normës së kontributeve.

