Kuvendi miraton rebalancin e Buxhetit 2026, rriten investimet kapitale dhe fondet për Gostivarin
Me 64 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” apo “të përmbajtur”, Kuvendi miratoi pasditen e sotme rebalancin e Buxhetit të shtetit për vitin 2026, nj
Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska, rebalanci synon përshtatjen e projeksioneve buxhetore me rrethanat e reja ekonomike, sigurimin e mjeteve për detyrimet ligjore dhe realizimin e prioriteteve zhvillimore. Ajo theksoi se me miratimin e rebalancit vazhdon cikli i investimeve, ndërtimi i infrastrukturës dhe mbështetja për zhvillimin lokal.
Nga pushteti rebalanci u vlerësua si një hap drejt stabilitetit ekonomik dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike. Ndërkohë, opozita kritikoi strukturën e buxhetit, duke pretenduar se ai nuk është mjaftueshëm zhvillimor dhe social, ndërsa qytetarëve, sipas tyre, u nevojiten rezultate konkrete dhe jo slogane.
Deputeti i LSDM-së dhe ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, deklaroi se partia e tij do ta votojë rebalancin. Ai kërkoi nga ministrja e Financave dhe Qeveria që të sigurojnë pagesën e subvencioneve për bujqit dhe të mos e akuzojnë opozitën për bllokimin e tyre.
Me rebalancin, të ardhurat totale janë rishikuar në 379.5 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet totale në 425.8 miliardë denarë. Deficiti buxhetor parashikohet në 46.3 miliardë denarë, ose 4.1 për qind të PBB-së.
Për investime kapitale janë siguruar 5.8 miliardë denarë shtesë, duke i çuar ato në 46 miliardë denarë, që paraqet një rritje prej 14.3 për qind krahasuar me buxhetin fillestar. Mjetet do të përdoren për projekte në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, mjedis, infrastrukturë komunale, energjetikë, arsim, mbrojtjen e fëmijëve, bujqësi dhe drejtësi.
Në kuadër të rebalancit janë paraparë edhe mjete shtesë për paga më të larta, bujqësinë dhe mbrojtjen sociale. Ndër masat e tjera janë fondet për gratë e angazhuara në bujqësi, krijimi i një linje kombëtare SOS për viktimat e dhunës dhe hapja e dy qendrave për kujdesin ndaj viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Për situatën në Gostivar, janë ndarë 6 milionë denarë shtesë për transportin e ujit për popullatën, për shkak të epidemisë së shpallur.

