Shtyhet seanca për rastin “Lotaria Shtetërore”, mbrojtja kërkon kohë për provat
Seanca kryesore për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku të akuzuar janë tetë persona, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes.
Avokatët kanë deklaruar se nuk e kanë marrë aktakuzën dhe nuk kanë pasur qasje në të gjitha provat e Prokurorisë. Gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jolevski ka sqaruar se dosja përmban 231 prova materiale dhe shtatë prova verbale dhe, për shkak të vëllimit të madh, ato janë vendosur në kuti në gjykatë për t’u shqyrtuar nga avokatët.
Edhe mbrojtja e Përparim Bajramit, i cili ndodhet në arrati, ka deklaruar se nuk e ka marrë aktakuzën. Gjykata ka njoftuar se aktakuza dhe provat do t’u dorëzohen mbrojtësve, të cilëve do t’u jepen rreth dhjetë ditë për shqyrtimin e tyre.
Pas përfundimit të kësaj periudhe, seancat pritet të zhvillohen dy herë në javë. Tetë të akuzuarit dyshohen për keqpërdorime lidhur me funksionimin e Lotarisë Shtetërore, ndërsa sipas aktakuzës, dëmi i pretenduar është rreth 8.2 milionë euro.

