Bursa hap dyert për Strugën – Qyra kërkon investime, bashkëpunim dhe ura të reja me Turqinë

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, po zhvillon një vizitë disa ditore në Bursa të Turqisë, ku agjenda e tij përfshin takime me biznesmenë, përfaqësues politikë, institucione dhe komunitetin shqiptar me origjinë nga Ballkani.

Vizita ka në fokus mundësitë për bashkëpunim ekonomik, investime, turizëm dhe projekte të përbashkëta që mund të kontribuojnë në zhvillimin e Strugës.

Qyra e nisi agjendën me biznesmenin shqiptar Gëzim Kosova, sipërmarrës në sektorin e tregtisë së frutave të ngrira, me aktivitet në Turqi dhe eksporte në rreth 80 shtete. Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve, ndërsa Qyra theksoi se zhvillimi i biznesit dhe krijimi i vendeve të reja të punës janë ndër prioritetet e Komunës së Strugës.

Një tjetër takim u zhvillua me Rexhep Altepe, ish-kryetar i Bursës dhe kryetar i Shoqatës së Kryetarëve të Komunave që i përkasin AK Partisë. Altepe, me origjinë nga Shkupi, shprehu interes për forcimin e bashkëpunimit me Strugën dhe paralajmëroi një vizitë në qytet, së bashku me kryetarë të komunave turke, për të shqyrtuar mundësi konkrete për projekte dhe investime.

Në fokus të bisedës ishte edhe turizmi. Qyra theksoi se Struga synon të forcojë lidhjet me Turqinë dhe të krijojë mundësi që qyteti të jetë një nga destinacionet e turistëve turq gjatë vizitave të tyre në Ballkan.

Agjenda vijoi me takimin me Adnan Kurtullush, kryetar i AK Partisë në komunën Osmangazi, e cila ka rreth 800 mijë banorë. Kurtullush, me origjinë nga Kamenica e Kosovës, shprehu gatishmëri për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit me Strugën dhe paralajmëroi një vizitë të afërt në qytet me ide konkrete për projekte të përbashkëta.

Qyra u takua gjithashtu me përfaqësues të Shoqatës së Emigrantëve nga Ballkani, ku diskutoi me pjesëtarë të komuniteteve me origjinë nga vende të ndryshme të rajonit.

Në kuadër të vizitës, kryetari i Strugës zhvilloi takim edhe me Konsullin e Nderit të Maqedonisë së Veriut në Bursa, Halit Bexheti. Biseda u përqendrua në forcimin e lidhjeve institucionale dhe ekonomike mes Bursës dhe Strugës, si dhe në mundësitë për projekte dhe investime të reja.

Vizita e Qyrës në Bursa synon të afrojë më tej Strugën me biznesin dhe institucionet turke, por edhe me diasporën shqiptare nga Ballkani, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim në ekonomi, turizëm dhe kulturë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *