Denion Meidani në Shkup: Diploma në shqip duhet të hapë çdo derë, edhe sallën e gjyqit
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
Në fjalën e tij, Meidani vlerësoi punën e drejtuesve, profesorëve dhe studentëve, duke theksuar rolin e tyre në zhvillimin e universitetit. Ai u shpreh se studentët janë ata që i japin jetë dhe forcë institucionit.
Duke iu referuar figurës së Nënë Terezës, ambasadori kujtoi se ajo lindi në Shkup, në një familje shqiptare, dhe se jetën ia kushtoi të tjerëve.
Meidani theksoi rëndësinë e arsimit në gjuhën shqipe dhe të respektimit të të drejtave gjuhësore. Ai tha se diploma në shqip duhet të jetë e barabartë dhe të hapë çdo derë, përfshirë edhe sallën e gjyqit.
Ambasadori përshëndeti gjithashtu angazhimin e Parlamentit Studentor dhe Fakultetit të Drejtësisë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke vlerësuar mënyrën e argumentuar dhe institucionale të kërkesave të tyre.
Ai e lidhi këtë çështje me sundimin e ligjit dhe rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zbatimi i plotë i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është çështje e barazisë dhe rendit kushtetues.
“Shqipëria do t’ju mbështesë pa më të voglin hezitim në këtë rrugë. Suksesi juaj është edhe suksesi ynë”, deklaroi Meidani.
Në fund të fjalës së tij, ambasadori u bëri thirrje studentëve të shohin nga bota dhe të mësojnë prej saj, por të mos harrojnë vendin që ka nevojë për dijen dhe kontributin e tyre.

