Mickoski: Opozita le të del me propozim, ne do ta mbështesim Kodin Zgjedhor

LSDM: Po hapet rruga për manipulim zgjedhor

Kryeministri Hristijan Mickoski i bëri thirrje opozitës të arrijë një qëndrim të përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke garantuar se shumica do të mbështesë pa kushte çdo propozim të harmonizuar që përfshin edhe votimin e diasporës. Ai kërkoi që marrëveshja të arrihet deri më 15 korrik, për të përmbushur afatet e procesit reformues.

“Uluni, dakordohuni në opozitë, çfarë dëshironi, si dëshironi, jepni një propozim ku do të përfshihet votimi i diasporës dhe ne do ta mbështesim pa kushte. Çfarëdo që të dëshironi, ne do ta mbështesim pa kushte. Vetëm ta përfundojmë këtë deri më 15 korrik, në mënyrë që 10 hapat të përfundojnë me sukses, që të mund të kalojmë në fazën tjetër. Ja, ende presim, kanë kaluar disa ditë dhe ende nuk kemi një qëndrim të harmonizuar nga opozita”, tha Mickoski.

 Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi pushtetin se po përgatit manipulim zgjedhor dhe prezantoi propozimin e opozitës për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.

“Propozimi ynë ishte që ta heqin atë pjesë, ta miratojmë ligjin pa atë ndryshim, ndërsa një grup punues deri në vitin 2028 ta përcaktojë saktë, në mënyrë të përshtatshme me karakteristikat tona dhe mundësitë e sistemit tonë, modelin për këtë votim. Ja, ata e refuzuan. Nuk mund të konkludojmë asgjë tjetër përveç se po hapet rruga për një vjedhje zgjedhore. Nuk ekziston asnjë shpjegim tjetër logjik për këmbënguljen në një model ku asgjë nuk është përcaktuar lidhur me sigurinë”, tha Filipçe.

Partia Levica akuzon VMRO-DPMNE-në se po e përdor votimin e diasporës si çështje politike, në vend që të fokusohet në reforma që, sipas saj, do të garantonin një sistem më të drejtë zgjedhor dhe vlerë të barabartë të çdo vote.

Ndërkohë, Kodi Zgjedhor mbetet pjesë e agjendës reformuese të vendit. Edhe pse afati fillestar skadoi në fund të qershorit, Bashkimi Evropian u ka dhënë partive edhe dy javë kohë për të arritur konsensus dhe për ta miratuar ligjin në Kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *