Kasami: Mbështetja e VLEN-it për Arkin Jahijin varet nga sjellja e BDI-së
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, nuk e bëri të qartë nëse koalicioni do ta mbështesë kandidatin e AKI-së për kryetar të Bërvenicës, Arkin Jahijin, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, përcjell TV21.
Kasami tha se VLEN-i është i gatshëm ta përkrahë kandidatin e AKI-së, por angazhimi i tyre do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet fushata e BDI-së dhe AKI-së në ditët në vijim.
Ai kritikoi deklaratat e zyrtarëve të BDI-së dhe AKI-së, të cilët, sipas tij, po e paraqesin garën si një përballje kundër VLEN-it, në vend që të përqendrohen te kandidati dhe programi për komunën e Bërvenicës.
Kasami rikujtoi se në zgjedhjet e mëparshme kandidati i VLEN-it kishte kërkuar votën si shqiptar, duke larguar simbolet partiake, ndërsa tha se një qasje e tillë nuk po shihet tani nga pala tjetër.
Ai theksoi se përgjegjësia për fitoren ose humbjen në Bërvenicë i takon AKI-së, pasi kandidati është i tyre. Sipas Kasamit, VLEN-i mund të ndihmojë në sigurimin e mbështetjes, por nuk mund ta garantojë fitoren në raundin e dytë.

