Mickoski nga Nju Jorku: Besojmë në vlerat evropiane, por nuk po presim – po zhvillohemi
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por paralelisht po punon në zhvillimin e vendit dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë.
Duke folur në panel-diskutimin e samitit “Concordia” në Nju Jork, Mickoski tha se vendi beson në vlerat evropiane dhe do të vazhdojë në këtë drejtim, ndërsa theksoi se për procesin e integrimit evropian duhet të gjendet një rrugëdalje nga situata aktuale e bllokuar.
Mickoski tha se negociatat me Bashkimin Evropian duhet të fokusohen në reforma institucionale dhe jo në çështje të identitetit maqedonas apo kërkesa dypalëshe.
Ai foli edhe për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe për projektet në energjetikë, infrastrukturë dhe industri.
Kryeministri përmendi rinovimin e naftësjellësit Selanik–Shkup dhe ndërtimin e interkonektorëve të gazit drejt Greqisë dhe Serbisë, duke thënë se interkonektori jugor pritet të funksionalizohet deri në fund të vitit 2027, ndërsa ai verior në fund të vitit 2028.
Mickoski theksoi gjithashtu se Qeveria po vazhdon me reformat dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa përsëriti se vendi duhet të vazhdojë punën pavarësisht bllokadës në procesin eurointegrues.
Ndërkohë, për avancimin e negociatave me BE-në mbetet kusht ndryshimi i Kushtetutës, me përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera. Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojitet shumicë prej dy të tretash në Kuvend.

