“Hug & Fly” në Aeroportin e Shkupit nën hetim për konkurrencën: Do të shqyrtohet regjimi i ri
Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës do të shqyrtojë regjimin e ri për përdorimin e zonës “Hug & Fly” në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku qëndrimi falas deri në 10 minuta tashmë lejohet vetëm një herë brenda 24 orëve për të njëjtin automjet.
Komisioni do të analizojë nëse ky kufizim, duke marrë parasysh kushtet në të cilat operojnë transportuesit e ndryshëm taksi dhe ekzistencën e një operatori të autorizuar të taksive në aeroport, mund të ndikojë në konkurrencën dhe qasjen në infrastrukturën e aeroportit.
“Komisioni do të shqyrtojë arsyeshmërinë dhe proporcionalitetin e kushteve të vendosura, ndikimin e tyre faktik mbi transportuesit taksi dhe nëse ekzistojnë kushte të barabarta dhe jodiskriminuese për qasje për të gjithë pjesëmarrësit në treg”, bëjnë të ditur nga Komisioni.
Nga Komisioni theksojnë se në këtë fazë nuk paragjykojnë nëse ka shkelje të rregullave të konkurrencës. Pas mbledhjes dhe analizimit të të gjitha informacioneve relevante, do të vendoset për hapat e mëtejshëm.
Ndërkohë, prej sot kanë hyrë në fuqi rregullat e reja të TAV Maqedoni për zonën “Hug & Fly”. Automjetet mund të ndalojnë falas deri në 10 minuta për të lënë ose marrë pasagjerë, por vetëm një herë brenda një periudhe prej 24 orësh.
Hyrjet kontrollohen përmes sistemit automatik për njohjen e targave. Sipas TAV Maqedoni, qëllimi i masës është sigurimi i qarkullimit më të mirë dhe një qasje më e sigurt në terminal, veçanërisht gjatë periudhave me fluks të madh udhëtarësh.
Për qëndrime më të gjata, udhëtarët mund të përdorin parkingun para terminalit, i cili ka 1.200 vende për automjete dhe gjashtë vende për autobusë.
Regjimi i ri është kundërshtuar nga Shoqata e Taksistëve, e cila thotë se kufizimi dëmton transportuesit e licencuar, mund të ndikojë në rritjen e çmimeve dhe vështirëson transportin e personave me aftësi të kufizuara. Shoqata ka kërkuar që të lejohen disa hyrje të shkurtra falas gjatë ditës dhe që të shqyrtohen edhe aspektet e mbrojtjes së të dhënave personale dhe konkurrencës në aeroport.

