Gjykata e Apelit në Shkup me mungesë të gjyqtarëve dhe stafit
Në Gjykatën e Apelit në Shkup duhet të punojnë 51 gjyqtarë, ndërsa aktualisht janë vetëm 35, ose 16 më pak. Përveç gjyqtarëve, mungon edhe një pjesë e stafit administrativ dhe gjyqtarëve porotë.
Pavarësisht mungesës së kuadrit, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit në Shkup, Zoran Gerasimovski, thotë se kjo nuk ndikon në efikasitetin e gjykatës.
„Për momentin, funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit në Shkup e ushtrojnë vetëm 35 gjyqtarë. Problemi me mungesën e kuadrit gjyqësor është i pranishëm prej një periudhe më të gjatë“, tha Gerasimovski.
Sipas tij, nga 245 vendet e parashikuara të punës në shërbimin gjyqësor, janë plotësuar vetëm 101. Edhe pse për vitin 2026 janë miratuar 10 punësime të reja, procedura për realizimin e tyre ende është në proces.
Problem shtesë është edhe mungesa e gjyqtarëve porotë. Nga 32 vendet e parashikuara, aktualisht janë plotësuar vetëm shtatë.
„Pagesa është përcaktuar që në vitin 2018 dhe nuk është ndryshuar, që do të thotë se shuma prej 570 denarësh në ditë është shumë e ulët dhe aktualisht kemi vetëm shtatë gjyqtarë porotë“, deklaroi Gerasimovski.
Megjithatë, ai vlerësoi se pavarësisht mungesës së kuadrit, Gjykata e Apelit në Shkup do të vazhdojë të punojë në mënyrë efikase.

