Mickoski sfidon hetimin për kredinë 1 miliardëshe: “Absolutisht nuk frikësohem”
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk frikësohet nga hetimi penal që autoritetet hungareze kanë hapur për bankën shtetërore “Eximbank”, ku në mesin e rasteve të hetuara është edhe kredia prej 1 miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut.
I pyetur nëse hetimi në Hungari mund të ketë pasoja për Maqedoninë e Veriut, Mickoski tha se bëhet fjalë për një çështje të brendshme të Hungarisë dhe se pret që autoritetet atje ta përfundojnë hetimin.
“A frikësohem? Absolutisht nuk frikësohem”, tha Mickoski, duke insistuar se kredia është pjesë e partneritetit strategjik mes Shkupit dhe Budapestit dhe se është miratuar nga qeveritë dhe parlamentet e të dyja vendeve.
Sipas tij, mjetet janë shpenzuar në mënyrë transparente, ndërsa falënderoi Hungarinë për mbështetjen financiare që, siç tha, erdhi në një moment kur Maqedonia e Veriut po përballej me probleme të mëdha financiare.
“Falënderimi im shkon për Hungarinë, e cila si partneri ynë strategjik, në kohën kur po luftonim për ta nxjerrë shtetin nga falimentimi për shkak të borxheve që i trashëguam nga qeveria banditeske e LSDM-së dhe BDI-së, ishte e para që na doli në ndihmë”, deklaroi Mickoski.
Hetimi në Hungari u bë publik pasi Reuters, duke iu referuar policisë hungareze, raportoi se autoritetet po hetojnë katër raste në “Eximbank”, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe menaxhim të pandërgjegjshëm.
Në mesin e rasteve është edhe kredia prej 1 miliard eurosh për Maqedoninë e Veriut, e cila ka normë interesi prej 3.25 për qind dhe garanci të plotë shtetërore.
Ministria e Ekonomisë e Hungarisë kishte ngritur kallëzim pas një auditimi të bankës. Ndërkaq, më 31 gusht, hetuesit hungarezë sekuestruan mijëra faqe dokumente të brendshme nga Ministria e Ekonomisë, të cilat pritet të analizohen në kuadër të hetimit.
Mickoski minimizon deklaratën e Magyarit për BE-në
Mickoski u pyet edhe për deklaratën e kryeministrit hungarez Peter Magyar se Hungaria nuk mbështet një proces të përshpejtuar të anëtarësimit për asnjë vend kandidat në BE.
Mickoski tha se është i bindur se Magyar nuk i është referuar vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Jam i bindur se kolegu Magyar nuk e ka menduar Ballkanin me atë që ka thënë”, deklaroi Mickoski, duke shtuar se sipas tij mbështetja e Hungarisë për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor mbetet e padiskutueshme.
Magyar, pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, kishte përsëritur qëndrimin e Budapestit kundër përshpejtimit të procesit të anëtarësimit për vendet kandidate.
Në këtë mënyrë, ndërsa kredia prej 1 miliard eurosh është futur në hetim në Hungari, Mickoski siguron se nuk pret pasoja për Maqedoninë e Veriut dhe përsërit se financimi është përdorur në mënyrë transparente.

