Policia Financiare hap rast për kapital të dyshimtë në mediat e Maqedonisë së Veriut
Drejtoria e Policisë Financiare ka hapur rast dhe po shqyrton pretendimet për hyrje të mundshme të kapitalit të dyshimtë në hapësirën mediatike të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Njoftimi vjen pas kërkesës së LSDM-së që institucionet të hetojnë dyshimet për hyrjen e asaj që partia e cilësoi si „makineri mediatike serbe“ në vend.
Nga Policia Financiare thonë se po shqyrtojnë të gjitha indiciet dhe informacionet e bëra publike. Sipas tyre, ASHMAA-ja ka ndalur procedurën për ndryshimin e strukturës së pronësisë së një televizioni dhe një radioje.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave të shmangin spekulimet dhe publikimin e informacioneve të paverifikuara, duke theksuar se institucionet kompetente po veprojnë në përputhje me ligjin.
LSDM-ja ndërkohë ka ngritur dyshime për hyrjen e grupacionit mediatik serb „Alo“ dhe për lidhje të mundshme financiare përmes „Alta Bankës“ serbe, duke kërkuar kontroll të origjinës dhe qarkullimit të parave.
Për momentin, Policia Financiare nuk ka bërë të ditur se cilat media janë pjesë e rastit.
Çështja vjen në një kohë kur në opinion ka debat edhe për kanalet „Arena M1“, „Arena M2“ dhe „Arena M3 Premium“, për të cilat AMM dhe MRT kanë pretenduar se operojnë pa leje vendore. ASHMAA i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se bëhet fjalë për shërbime programore të huaja.

