Pas disa vitesh përpjekje dhe vonesash, Tetova hap thirrjen për Këshillin Rinor Lokal
Përpjekjet për themelimin e Këshillit Rinor Lokal në Tetovë nisën nga sektori civil në vitin 2015, por pa arritur të konsolidojnë një strukturë të qëndrueshme.
Në vitin 2017 u publikuan thirrje për delegatë për Këshillin Rinor Lokal, ndërsa në vitin 2019 u miratua Strategjia e re Rinore e Komunës së Tetovës, ku u zgjodhën edhe organet e para drejtuese.
Në vitin 2020, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, i cili obligoi komunat të krijojnë këshilla rinorë lokalë, përfshirë edhe Tetovën.
Më 21 qershor 2022, Komuna e Tetovës shpalli thirrjen për përzgjedhjen e një Këshilli Nismëtar prej pesë anëtarësh, me detyrë përgatitjen e procesit për themelimin e Këshillit Rinor Lokal, në përputhje me ligjin e ri.
Në shkurt të vitit 2023, Tetova konstituoi Këshillin Rinor Lokal.
Gjatë vitit 2024, Komuna e Tetovës miratoi vendimin për verifikimin e mandateve të anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal, si dhe vendimin për miratimin e Programit Vjetor të Punës së Këshillit Rinor Lokal për vitin 2025.
Gjatë përurimit të Qendrës së re Rinore në vitin 2025, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, deklaroi se Këshilli Rinor Lokal ishte vendosur fizikisht në ambientet e kësaj qendre.
Pas përfundimit të mandatit të udhëheqësisë së kaluar, procesi për zgjedhjen e përbërjes së re u shty.
Pas kësaj vonese, Komuna e Tetovës ka shpallur thirrjen për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Rinor Lokal.
Thirrja u drejtohet organizatave rinore, forumeve rinore të partive politike, organizatave të nxënësve dhe studentëve, si dhe formave të tjera të organizimit rinor që veprojnë në territorin e Komunës së Tetovës.
Për të aplikuar, organizatat duhet të kenë realizuar aktivitete në territorin e Komunës së Tetovës dhe të jenë të themeluara e aktive së paku një vit para shpalljes së thirrjes. Delegatët dhe zëvendësuesit e tyre duhet të jenë të moshës 15 deri në 29 vjeç.
Aplikuesit duhet të dorëzojnë letër motivuese për pjesëmarrje në Këshillin Rinor Lokal, jo më të gjatë se një faqe, letër nominuese me të dhënat e delegatit, si dhe raportin vjetor të punës për vitin paraprak, i cili dëshmon aktivitetin e organizatës gjatë vitit të kaluar dhe aktivitetet e realizuara në Komunën e Tetovës.
Afati për aplikim është nga 10 deri më 25 shtator 2025.
Dokumentet mund të dorëzohen në adresën elektronike info@tetova.gov.mk ose në arkivin e Komunës së Tetovës, me shënimin: “Aplikim për anëtarësim në Këshillin Rinor Lokal”.
Këshilli Rinor Lokal është mekanizëm i paraparë me Ligjin për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në janar të vitit 2020. Ligji obligon komunat të krijojnë mekanizma për pjesëmarrjen e të rinjve në proceset lokale të vendimmarrjes.

