Gostivari shënon 29-vjetorin e ngjarjeve të 9 korrikut 1997

Gostivari sot përkujton 29-vjetorin e ngjarjeve të 9 korrikut 1997, një nga episodet më të dhimbshme në historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të lidhur me mbrojtjen e flamurit kombëtar shqiptar.

Më 9 korrik 1997, pas vendimit të pushtetit lokal për ngritjen e flamurit shqiptar para objektit të Komunës së Gostivarit, forca të shumta policore ndërhynë në qytet. Gjatë operacionit u arrestuan kryetari i atëhershëm i komunës, Rufi Osmani, dhe kryetari i Këshillit Komunal, Refik Dauti, ndërsa protestat që pasuan u shoqëruan me përplasje të dhunshme.

Në këto ngjarje humbën jetën Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, ndërsa qindra qytetarë u plagosën dhe u arrestuan.

Me rastin e përvjetorit, Rufi Osmani rikujtoi ngjarjet e asaj kohe, duke deklaruar se kishte propozuar një kompromis për të shmangur përshkallëzimin e situatës, por sipas tij autoritetet e atëhershme vendosën të përdornin forcën. Ai e cilësoi 9 korrikun si një ditë tragjike për Gostivarin dhe shqiptarët në vend.

Pas ngjarjeve, Osmani dhe disa zyrtarë të tjerë lokalë u dënuan me burg, ndërsa 9 korriku vazhdon të përkujtohet si simbol i sakrificës për të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *