Përplasje mes VLEN-it dhe BDI-së për akuzat rreth “Botës Serbe”
Përplasjet politike mes VLEN-it dhe BDI-së kanë vazhduar me akuza të ndërsjella për afërsi me të ashtuquajturën “Bota Serbe”. VLEN publikoi një komunikatë të Presidencës së Serbisë pas një takimi të ish-ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, me presidentin Aleksandar Vuçiq, duke pretenduar se ajo dëshmon se BDI nuk i ka pasur prioritet interesat e shqiptarëve.
“Komunikata zyrtare e Presidencës së Serbisë, pas takimit të presidentit Aleksandar Vuçiq me ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme, humbësin e gjithanshëm, Bujar Osmanin, dëshmon qartë se në mesin e temave të diskutuara ishte edhe avancimi i pozitës së serbëve në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga VLEN.
BDI i hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se takimet diplomatike janë pjesë e detyrimeve shtetërore dhe nuk përbëjnë përcaktime politike. Sipas tyre, komunikata e publikuar pasqyron qëndrimet e Presidencës së Serbisë, ndërsa akuzuan VLEN-in për bashkëqeverisje me forca politike që, sipas tyre, mohojnë pavarësinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit.
“Diplomacia nuk është takim me ata me të cilët pajtohesh. Diplomacia ekziston pikërisht për t’u takuar me ata me të cilët nuk pajtohesh, për të mbrojtur interesat e shtetit tënd dhe për të avancuar pozicionet e tij. Takimet diplomatike janë detyrim kushtetues. Bashkëqeverisja është zgjedhje politike”, thonë nga BDI.

