Nikolloski: Kilometrat e parë të autostradës Tetovë–Gostivar brenda një viti, projekti përfundon në 2028
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka bërë të ditur se punimet në autostradën Tetovë–Gostivar po zhvillohen sipas planit, ndërsa kilometrat e parë të saj pritet të përfundojnë brenda 12 muajve. Sipas tij, i gjithë projekti do të vihet në funksion gjatë vitit 2028.
Nikolloski tha se janë tejkaluar pengesat që lidhen me shpronësimin e tokave, ndërsa aktualisht po punohet për zhvendosjen e instalimeve teknike përgjatë traseut.
Për të garantuar qarkullim të pandërprerë dhe për të shmangur izolimin e vendbanimeve përreth, projekti përfshin edhe ndërtimin paralel të mbikalimeve dhe urave të nevojshme.
Ministri njoftoi gjithashtu se, krahas ndërtimit të autostradës, po zhvillohen aktivitete edhe për realizimin e lidhjes hekurudhore Shkup–Shqipëri, në kuadër të projektit të njohur si “Treni i qytetit”.
Autostrada Tetovë–Gostivar konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, pasi pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, të rrisë sigurinë në trafik dhe të shkurtojë kohën e udhëtimit ndërmjet dy qyteteve.

