Marta Kos: Maqedonia ka vend në BE, por duhet të vazhdojë me reformat
Eurokomisarja për Zgjerim, Marta Kos, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski deklaroi se Maqedonia e Veriut po shënon përparim të rëndësishëm në zbatimin e reformave dhe se vendi është ndër kandidatët që kanë treguar rezultate të mira në procesin e integrimit evropian.
Kos vlerësoi angazhimin e institucioneve dhe theksoi se përparimi në reforma i ka mundësuar vendit të jetë ndër përfituesit kryesorë të mbështetjes nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian. Ajo tha se Maqedonia e Veriut ka vend në BE si anëtare e plotfuqishme, por rikujtoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet hapi i nevojshëm për të vazhduar procesin formal të negociatave.
“Zgjerimi i BE-së nuk bazohet në garanci të dhëna paraprakisht, por në besim, obligime, përkushtim dhe përmbushje të tyre”, deklaroi Kos, duke iu referuar kërkesave për garanci se procesi i integrimit nuk do të përballet me bllokime të reja.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj agjendës evropiane dhe realizimit të reformave. Sipas tij, për vendin nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa procesi duhet të bazohet në kritere të qarta, vlera evropiane dhe rezultate konkrete.
Gjatë takimit u diskutua edhe për Kodin Zgjedhor. Eurokomisarja Kos bëri thirrje që partitë politike të arrijnë marrëveshje për miratimin e ndryshimeve ligjore, pasi kjo do t’i hapte rrugë përfitimit të 4 milionë eurove shtesë nga fondet evropiane.
Vizita e Kos në Shkup vjen në kuadër të përpjekjeve për të mbështetur procesin e reformave dhe avancimin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

