Mickoski: Të dielën qytetarët e Bërvenicës do të votojnë sipas arsyes, ju do të na uroni fitoren

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se qytetarët e Bërvenicës të dielën do të votojnë sipas arsyes së tyre, duke shprehur bindjen se kandidati i VMRO-DPMNE-së do të fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Këtë e tha në Kuvend, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Skender Rexhepi për atmosferën para votimit dhe rejtingun e partisë në pushtet.

Mickoski rikujtoi se në raundin e parë, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojançe Radiçevski, mori afër 3.000 vota, ndërsa kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Arkin Jahiu, rreth 900 vota më pak.

“ Të dielën në Bërvenicë qytetarët do të votojnë ashtu siç ua thotë arsyeja, ndërsa ju do të telefononi për të na uruar”, deklaroi Mickoski.

Ai akuzoi kundërshtarët politikë se po nxisin ndarje etnike në fushatën zgjedhore dhe tha se në dy dekadat e fundit, sipas tij, në Bërvenicë nuk janë realizuar projekte të mjaftueshme, gjë që e lidhi me shpërnguljen e rreth 10.000 banorëve, shumica shqiptarë.

Kryeministri u bëri thirrje banorëve maqedonas, shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera që të mos lejojnë ndarjet etnike të ndikojnë në votën e tyre. Ai përmendi edhe bashkëjetesën mes myslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë në fshatin Tenovë, duke theksuar se banorët janë fqinj dhe duhet të vazhdojnë të jetojnë së bashku.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, që mbahet të dielën, për kryetar komune garojnë Stojançe Radiçevski nga VMRO-DPMNE-ja dhe Arkin Jahiu nga AKI-ja. Qëndrimi i VLEN-it dhe votat e kandidatëve që nuk kaluan në raundin e dytë mbeten ndër faktorët që mund të ndikojnë në rezultat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *