Gashi: Në zgjedhjet në Bërvenicë duhet të votohet për kandidatin më të mirë, jo mbi baza etnike

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, qytetarët nuk duhet të votojnë mbi baza etnike, por për kandidatin më të mirë që do ta realizojë programin zgjedhor. Këtë mesazh e përcolli sot kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, nga radhët e VLEN-it.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për deklaratën e Arben Taravarit, i cili u bëri thirrje shqiptarëve në Bërvenicë të votojnë për kandidatin e BDI-së, Gashi tha se nuk pajtohet që përkatësia etnike të jetë vendimtare në zgjedhje.

AFRIM GASHI – KRYETAR I KUVENDIT

“Duhet ta tejkalojmë këtë mënyrë të të menduarit. Në vitin 2026, duhet të pyesim veten nëse kriteri i vetëm për të votuar është se nga cili fshat vjen dikush. Mendoj se në çdo palë zgjedhje duhet të fitojë kandidati më i mirë dhe zgjedhjet në vend duhet t’i shohim nga aspekti i efikasitetit, pragmatizmit dhe realizimit të projekteve.”

Gashi shtoi se, për fat të keq, në disa zona të vendit ende përsëritet votimi mbi baza etnike. Ai tha se qytetarët duhet të votojnë për kandidatin që do ta realizojë programin parazgjedhor dhe më pas do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.

Deklarata e Gashit vjen në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, ndërsa mbetet në fokus edhe qëndrimi që do të mbajë VLEN-i për mbështetjen e kandidatëve.

Në garën e së dielës përballë njëri-tjetrit do të jenë Stojançe Radiçevski nga VMRO-DPMNE-ja, i cili në raundin e parë mori 2.945 vota, dhe Arkin Jahiu nga BDI-ja, me 2.152 vota. Peshë vendimtare mund të kenë votat e kandidatëve që nuk kaluan në raundin e dytë, përfshirë Jakup Huseinin nga VLEN-i, i cili mori 1.528 vota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *