187 prokurorë zgjedhin shefin e ri të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion

Është në zhvillim procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK). Të drejtë vote kanë 187 prokurorë publikë, të cilët zgjedhin mes pesë kandidatëve: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski.

Votimi filloi në orën 8:00 dhe do të zgjasë deri në orën 16:00. Pas përfundimit të votimit, rezultatet do të përmblidhen në një seancë publike, të cilën MIA do ta transmetojë drejtpërdrejt.

Procesi zgjedhor zhvillohet nga Komisioni i formuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, në përbërje të Ermon Nezirit, Svetlana Stojkoviqit dhe Keti Petkovës.

Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, pas votimit deklaroi se bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm demokratik, në të cilin vetë prokurorët vendosin drejtpërdrejt se kush do të drejtojë institucionin përgjegjës për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai shprehu shpresën se drejtuesi i ri i zgjedhur do t’u përgjigjet sfidave dhe do të kontribuojë në forcimin e besimit te institucioni, si dhe në luftën më efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Saveski theksoi se rëndësia e kësaj prokurorie i tejkalon kufijtë e sistemit të prokurorisë publike, pasi ndikon edhe në imazhin e shtetit. Sa u përket kandidatëve, ai vlerësoi se të gjithë janë profesionistë të dëshmuar dhe se secili prej tyre ka kapacitetin për t’iu përgjigjur detyrimeve të funksionit.

Anëtari i Komisionit Zgjedhor në Prokurorinë Publike, Elvin Veli, informoi se votimi po zhvillohet pa pengesa. Sipas informacioneve të tij, në momentin kur dha deklaratën, nga gjithsej 11 prokurorë të regjistruar në vendvotimin në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kishin votuar 10.

Pesë kandidatët i prezantuan programet e tyre para Këshillit të Prokurorëve Publikë më 13 tetor. Në propozimet e tyre, fokusi ishte te forcimi i kapaciteteve hetimore, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, hetimet financiare, veprimi më efikas dhe pavarësia më e madhe e prokurorisë.

Zgjedhja po zhvillohet për shkak të përfundimit të mandatit të drejtuesit aktual të PTHP NKOK-së, Islam Abazi, i cili u zgjodh në tetor të vitit 2022. Shpallja për zgjedhjen e drejtuesit të ri u publikua në „Gazetën Zyrtare“ më 21 gusht të këtij viti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *