Mickoski: Brenda verës vendoset lokacioni i Qendrës së re Klinike, projekti ende mes premtimeve dhe negociatave
Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se deri në fund të verës pritet të përfundojë përzgjedhja e lokacionit për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup, një projekt i shumëpërfolur që prej vitesh mbetet i parealizuar.
Duke folur pas inaugurimit të repartit të rikonstruktuar të Traumatologjisë në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, Mickoski tha se Qeveria po zhvillon negociata me pronarin e tokës së parashikuar, ndërsa paralelisht po shqyrton edhe një lokacion alternativ në të njëjtën zonë.
“Po bisedojmë me pronarin e tokës, por kemi edhe një opsion të dytë. Nuk mbështetemi vetëm në një alternativë. Pres që gjatë verës ta mbyllim këtë proces dhe më pas të hartojmë planin për realizimin e investimit”, deklaroi kryeministri.
Sipas planeve të Qeverisë, Qendra e re Klinike pritet të ndërtohet pranë qendrës sportive “Boris Trajkovski”, në afërsi të SPQ “8 Shtatori”, ku synohet krijimi i një kompleksi modern shëndetësor të lidhur me spitalin përmes një kalimi nëntokësor.
Megjithatë, projekti vazhdon të mbetet një premtim i papërmbushur. Edhe pse në vitin 2019 ish-kryeministri Zoran Zaev kishte paralajmëruar nisjen e punimeve dhe ishte siguruar financim përmes një kredie nga Banka Qendrore Evropiane, ndërtimi nuk ka filluar ende.
Nëse procedurat për përzgjedhjen e lokacionit përfundojnë sipas planit, aktivitetet e para për realizimin e projektit pritet të nisin gjatë vitit 2027. Ndërkohë, autoritetet synojnë që SPQ “8 Shtatori” të shndërrohet në një qendër rajonale që do t’u shërbejë pacientëve nga Shkupi, Kumanova dhe Velesi.

