Te 60 qytetarë u zbulua tension i lartë i gjakut gjatë kontrolleve falas në Shkup
Te 174 qytetarë janë kryer kontrolle parandaluese falas të tensionit të gjakut, sheqerit dhe kolesterolit, si dhe vlerësimi i rrezikut për goditje në tru. Kontrollet u realizuan dje në një stendë të vendosur nga Klinika Universitare për Neurologji në sheshin “Maqedonia” në Shkup.
Nga gjithsej 174 qytetarë të kontrolluar, 95 ishin burra dhe 79 gra. Te 60 persona, apo 34,5 për qind, u regjistruan vlera të larta të tensionit të gjakut. Ndërkohë, te 34 persona, përkatësisht 19,5 për qind, u konstatuan vlera të larta të sheqerit në gjak, ndërsa 45 persona, apo 25,9 për qind, kishin vlera të larta të yndyrave në gjak.
Drejtori i Klinikës Universitare për Neurologji, dr. Jovan Bozhinovski, deklaroi për MIA-n se kontrollet përfshinë qytetarë të të gjitha grupmoshave, por shumica e të kontrolluarve ishin të moshuar. Matje parandaluese falas u kryen edhe në Tetovë, Kavadar dhe Shtip.
Duke folur për furnizimin me barna për pacientët me sëmundje neurologjike, Bozhinovski tha se për çdo sëmundje sigurohen barnat specifike të nevojshme, përfshirë edhe përmes programit të Ministrisë së Shëndetësisë për sëmundje të rralla. Sipas tij, nuk ka lista pritjeje dhe pacientët e diagnostikuar i marrin barnat pas përfundimit të procedurave administrative.
Aktivitetet organizohen me rastin e Ditës Botërore të Goditjes në Tru, që shënohet më 29 tetor, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për parandalimin, njohjen e hershme të simptomave dhe trajtimin në kohë.
Sot, nga ora 11:00 deri në 13:00, në Klinikën Universitare për Neurologji do të mbahet Ditë e Hapur për qytetarët, ku do të ofrohen falas ekzaminime Doppler të arterieve karotide. Kontrollet do të jenë në dispozicion për të gjithë të interesuarit, pa kufizim të numrit të ekzaminimeve.
Ndërkaq, ngjarja qendrore do të mbahet nesër në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe do t’i kushtohet rëndësisë së parandalimit, njohjes në kohë të simptomave dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor për pacientët me goditje në tru.

