Fshehu 77 stoli ari në jastëkun për qafë, dogana i sekuestron arin me vlerë 4 milionë denarë
Një banor i Tetovës, pronar i një argjendarie, është kapur duke tentuar të kontrabandojë 77 stoli ari me vlerë rreth 4 milionë denarë, të fshehura në një jastëk për qafë. Stolitë janë sekuestruar nga zyrtarët doganorë në pikën kufitare të Bogorodicës.
Rasti është zbuluar gjatë kontrollit të një autobusi që qarkullonte në relacionin Stamboll–Gostivar. Gjatë kontrollit të detajuar, në brendësi të jastëkut për qafë që mbante i dyshuari janë gjetur 77 stoli ari, me peshë të përgjithshme prej 612 gramësh.
Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, i dyshuari i kishte blerë stolitë në një punishte argjendarie në Stamboll dhe synonte t’i fuste ilegalisht në vend, për t’i shitur më pas në argjendarinë e tij.
Ndaj tij është ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.
Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se do të vazhdojnë aktivitetet për mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe krijimin e kushteve për një ekonomi të ndershme.

