VMRO-DPMNE dhe VLEN përballen sërish në Bërvenicë – zgjedhjet e parakohshme më 18 tetor

Dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE dhe VLEN, do të përballen sërish në garën për kryetar të Komunës së Bërvenicës, në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 18 tetor.

VMRO-DPMNE, e cila fitoi zgjedhjet e fundit lokale në këtë komunë, do të garojë me Stojanço Radiçevskin. Në zgjedhjet e kaluara, kandidati i kësaj partie ishte në balotazh me kandidatin e VLEN-it.

Ndërkaq, VLEN-i kësaj radhe nuk do të garojë me Haqim Ramadanin, i cili në zgjedhjet e fundit arriti në balotazh. Ramadani gjatë dhe pas balotazhit pati përplasje me drejtuesit e VLEN-it. Edhe pse më pas u rikthye në koalicion, ai nuk do të jetë kandidat për kryetar të Bërvenicës, por është angazhuar në Komunën e Çairit.

VLEN-i në këto zgjedhje do të përfaqësohet nga Jakup Huseini. BDI-ja, në kuadër të koalicionit AKI, do të garojë me Arkin Jahijin, ndërsa LSDM-ja opozitare me Jovica Radeskin.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor, pas vdekjes në qershor të kryetarit të atëhershëm të komunës, Jovica Ilievskit, nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Fushata zgjedhore do të nisë më 21 shtator dhe do të zgjasë deri më 16 tetor.

Bërvenica ishte një nga komunat më të diskutuara gjatë zgjedhjeve të rregullta lokale të vitit të kaluar. Gara atje mori edhe dimension etnik, ndërsa përplasjet politike nuk u zhvilluan vetëm mes pozitës dhe opozitës, por edhe mes dy partnerëve të koalicionit qeverisës, VMRO-DPMNE dhe VLEN.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në 10 fshatrat e Komunës së Bërvenicës jetojnë 13,645 banorë. Prej tyre, 7,377 janë shqiptarë, 5,715 maqedonas dhe një banor është rom.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *