Mickoski: Nga shtatori rritje e rregullt e pensioneve, shuma ende po llogaritet

Nga muaji i ardhshëm pensionet do të rriten në përputhje me përqindjen e harmonizimit të përcaktuar me Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, konfirmoi kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

“Po, ky do të jetë një harmonizim i rregullt, një nivelim në përputhje me ligjin”, tha Mickoski sot, më 25 gusht, gjatë një deklarate për media pas vizitës në Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike.

Sipas tij, shuma konkrete e rritjes së pensioneve ende nuk është përcaktuar, pasi llogaritjet janë në proces.

Pensionet harmonizohen dy herë në vit, më 1 mars dhe më 1 shtator. Sipas ligjit, gjatë llogaritjes merren parasysh në mënyrë të barabartë rritja e pagës mesatare dhe rritja e kostos së jetesës.

Mickoski tha se rritja e ardhshme do të bëhet sipas mekanizmit ligjor, ndërsa kujtoi se gjatë dy viteve të fundit pensionistët kanë përfituar rritje lineare prej gjithsej 7.000 denarësh.

Në shtator të vitit të kaluar, me 79 vota “pro” dhe asnjë “kundër” ose “abstenim”, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, me të cilat u mundësua rritja lineare e pensioneve për 2.000 denarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *